Lidhje

Rivlerësimi i gjyqtarëve, PD ankimim në Gjykatë

  • Armand Mero

Në Shqipëri opozita depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin për Rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, i cili sipas saj bie ndesh me ndryshimet kushtetutese të miratuara me konsensus në muajin korrik. Përveç shpalljes së ligjit si antikushtetues, opozita ka kërkuar dhe pezullimin e tij deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës. E pyetur nga Zëri i Amerikës për këtë zhvillim, ambasada amerikane tha se i qëndron deklaratave të dy javëve më parë të ambasadorit Doland Lu, sipas së cilave opozita po rrezikon të rreshtohet në mbrojtje të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Në seancën e 30 gushtit ligji për Rivlerësimin e Gjykatësve dhe Prokurorëve kaloi vetëm me votat e shumicës. Opozita e cila paraqiti kundërshtitë e saj në seancë, u largua duke mos marrë pjesë në procesin e votimit e duke paralajmëruar ankimimin ndaj ligjit. Dhe ndërsa ka vetëm pak kohë që nga hyrja e tij në fuqi, sot në Gjykatën Kushtetuese u depozitua kërkesa për ta shpallur atë antikushtetues.

Ligji konsiderohet si elementi kryesor i të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi, duke synuar kalimin në sitë të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve si dhe verifikimin e pasurive të tyre, me synim spastrimin e radhëve të Drejtësisë nga elementët e korruptuar.

“Kushtetuta për ta bërë këtë, ngriti organe të pavarura kushtetuese, e do të jenë ato sipas Kushtetutës që do të bëjnë procesin e Vettingut të gjyqtarëve. Organe të ngritura me kontributin e drejtpërdrejtë të ndihmës-sekretares së Shtetit Victoria Nuland dhe Komisioneri të BE, Johannes Hahn. Me ligjin që kaloi me 30 gusht, duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, ta bëjnë zyrtarët e lartë të PS”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në dalje nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij “kjo është jo vetëm shkelje e Kushtetutës, ky është një krim kushtetues, është 100 për qind në kundërshtim me standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias. PD dha konsensusin e plotë që korrupsioni të luftohet duke futur rivelrësimin në Kushtetutë, por jo, për asnjë sekondë PD nuk mund të mbështesë dhe, është e gatshme të kundërshtojë përpara kësaj Gjykate kushtetuese, shkeljet që bëri me ligjin e Vettingut, kjo mazhorancë”.

Opozita kundërshton parashikimin në ligj të përfshirjes së disa institucioneve si Drejtoria e parandalimit të pastrimit të Parave, apo ajo për Sigurimin e informacionit të klasifikuar të cilët parashikohet që të japin informacione rreth gjykatësve dhe prokurorëve gjatë procesit të rivlerësimit të tyre. Demokratët, siç janë shprehur dhe gjatë diskutimeve në Komisionin e Reformës me amendamentet e shumta që paraqitën,vlerësojnë se janë disa parime themelore që cënohen me këtë ligj si ai i “të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në procesin e kontrollit të figures” apo “me cënimin e pabarazisë përpara ligjit” e deri te “paqartësitë apo kontradiktat juridike të projektit”.

“Eshtë standard i vendeve të BE-së dhe SHBA-së që kur dhe një germë e vetme e ligjit, është në dyshim se shkel Kushtetutën, duhet t’i përgjigjet testit të Gjykatës Kushtetuese. Jo më një numër i pafund shkeljesh që cënon parimin e ndarjes së pushteteve, të pavarësisë së drejtësisë, shtetit dhe së drejtës, procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh zotit Bylykbashi.

Në Komisionin e Reformës ekspertët e EURALIUS-it dhe OPDAT-it i kundërshtuan propozimet e demokratëve. Miratimi i ligjit u përshëndet nga ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe misioni europian EURALIUS. Ndërsa dy javë më parë ambasadori Donald Lu, duke komentuar mundësinë e ankimimit nga ana e opozitës u shpreh se, Partia demokratike po rrezikon të shihet si një forcë e rreshtuar në mbrojtje të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar: “Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik”.

E pyetur nga Zëri Amerikës, për veprimin e sotëm të opozitës, ambasada amerikane tha se i qëndron së njejtës deklaratë të zotit Llu. Ndërkohë edhe përfaqësues të BE-së kanë paralajmëruar më parë se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve, mund të vërë në rrezik një rekomandim pozitiv të Komisionit europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë.

Opozita ka kërkuar nga Gjykata përveç se shpalljen antikushtetues të ligjit edhe pezullimin e tij. Në rast se Gjykata do të shprehet në favor të kësaj kërkese, i gjithë proçesi i Reformës në Drejtësi rrezikon të bllokohet, që në fazën fillestare të zbatimit. Nesër në parlament është parashikuar votimi i 6 ligjeve të tjera që i hapin rrugë zbatimit të saj. Opozita deklaroi sot se do të votojë vetëm në favor të ngritjes së strukturës së posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe Byrosë kombëtare të Hetimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG