Lidhje

Qeveria miraton projektligjin për kombinatin industrial Trepça


Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën projektligjin për kompleksin e minierave Trepça me të cilin do të përcaktohet pronësia mbi këtë kompleks dhe funksionimi i tij në pikëpamje ekonomike.

Projektligji per kombinatin industrial Trepca
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:23 0:00

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u tha se ajo do të jetë pronare e 80 për qind të aksioneve ndërsa punëtorët do të kenë 20 për qind të tyre.

Përcaktimi i fatit të këtij gjiganti industrial më trashëgimi të rëndë edhe politike, që nga përfundimi i luftës ishte temë debatesh për shkak të pretendimeve të Beogradit për pronësi mbi të dhe kritikave që opozita i ka bërë pushtetit në Kosovë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se në projektligjin për Trepçën është punuar nga një komision qeveritar, një komision parlamentar dhe Agjencia e Privatizimit. Ai tha se projektligji synon t'i hapë rrugë të ardhmes së kompleksit Trepça.

"Me këtë ligj, ne si qeveri në asnjë rast nuk pretendojmë ta kthejmë Trepçën në të kaluarën, por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen, dhe të hapim të ardhmen e Trepçës. Kjo e ardhme mendoj se është mjaft mirë e prezantuar në ligj sepse janë konsultuar përvojat më të mira dhe rastet më të mira, të cilat na ndihmojnë që ky ligj të mbështesë zhvillimin ekonomik, ky ligj të respektojë kriteret e ekonomisë së tregut dhe të mbrojë interesat e punonjësve, përkatësisht të minatorëve të Trepçës, të atyre që sot punojnë dhe të atyre që do të punojnë edhe në të ardhmen, sepse ligji ofron mundësi të hapjes”, tha kryeministri Mustafa.

Kombinati Trepça me minierat e tij, nuk ishte përfshirë në procesin e privatizimit, për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të tij gjatë viteve të 90-ta, kur Kosova ishte nën administrimin e Beogradit, i cili ngulë këmbë në pronësinë mbi të. Zyrtarët serbë thonë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kjo ishte edhe arsyeja pse ministrat e qeverisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb votuan kundër projektligjit i cili të premten pritet të debatohet në parlamentin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç tha se janë dy arsye pse ata votojnë kundër një projektligji të tillë.

"Ne nuk do të mund të përkrahim këtë ligj për arsye të shumta. Së pari rreth Trepçës ekzistojnë dy kontekste, ai politik dhe ekonomik. Ne kemi bërë përpjekje që të arrijmë deri te një zgjidhje sa më e volitshme ekonomike. Ajo është e rëndësishme për të gjithë ata që punojnë aty, dhe për të gjitha ato ndërmarrje që kanë dobi prej saj. Fatkeqësisht, ky ligj është më tepër politik sesa përmbajtjesor”, tha zëvendëskryeministri Stojanoviç.

Rreth 100 punëtorë të komunitetit serb që punojnë në kuadër të kombinatit Trepça, bllokuan të mërkurën, për rreth gjysmë ore rrugën që çon nga Prishtinë për në qytetin verior të Leposaviqit, në shenjë kundërshtimi ndaj projektligjit.

Drejtori i kompleksit Trepça, Ahmet Tmava, tha se burimet minerale të Kosovës janë pasuri kombëtare e Kosovës dhe si të tilla trajtohen edhe në projektligjin që pritet të debatohet në kuvend.

"Këtu gjithçka është e qarte sepse resurset minerale të Kosovës janë aset nacional i shtetit të Kosovës dhe asnjë problem këtu nuk ekziston sepse resurset janë kategori kushtetuese. Resurset nuk mund të privatizohen, resurset e Kosovës janë të Kosovës dhe krejt çka parasheh ai draft ligj është që resurset, në këtë rast xeheroret e plumb zinkut, të konstatuara nga puna shkencore, mundi dhe paratë e Trepçës të jenë nën ombrellën e Trepçës në një planifikim eksploatues zhvillimor për periudha të caktuara kohore që realisht vendin tonë e bën një vend strategjik në aspektin e posedimit të këtij resursi”, tha drejtori Tmava.

Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit, ndërsa qeveria vendosi që për të të ketë një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet që ka ky kompleks, të cilat sipas vlerësimeve, arrijnë në rreth një miliardë e 400 milionë euro.

Gjykata e lartë e Kosovës ka përcaktuar fillimin e muajit nëntor si afat për Agjencinë e Privatizimit që të dorëzojë planin e organizimit të Trepçës. Nëse ky afat nuk përmbushet, kompleksi mund të shkojë në falimentim

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta, ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

XS
SM
MD
LG