Lidhje

Drejtësia, miratohen 5 ligjet të reja

  • Armand Mero

Në Shqipëri parlamenti shqiptar votoi sot në mbrëmje paketën e ligjeve të domosdoshme për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Opozita siç kishte parlajmëruar dha votën e saj vetëm për ligjin për ngritjen e strukturave të posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, SPAK. Ligji, i cili mori 122 vota në favor, parashikon dhe ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit, e cila pritet të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane. Në fakt dhe anëtarët e saj do të trajnohen pranë akademisë së FBI-së. Ata do të kenë në dispozicion teknologjitë më të avancuara të hetimit, ndërkohë që do të detyrohen t’i nënshtrohen dhe testit të së vërtetës. Një agjent i FBI-së amerikane do të dërgohet gjithashtu në Tiranë për të mbikqyrur aktivitetin e anëtarëve të Byrosë.

Parlamenti votoi edhe për 5 ligjet e tjera të cilat parashikojnë ngritjen e një sërë strukturash të reja dhe zëvendësimin e institucioneve ekzistuese të cilat shkrihen. Por ato kaluan vetëm me votat e shumicës, pasi opozita braktisi sallën pas miratimit të SPAK-ut. Shumica megjithatë shtyu ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje me opozitën për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve që do të propozohen jo nga radhët e gjyqësorit për formimin e institucioneve të reja, që nga Këshilli i lartë Gyqësor, i cili zëvendëson Këshillin e Lartë të Drejtësisë, te Këshilli i Prokurorisë apo Inspektoriati i Drejtësisë.

Procesi i votimit erdhi pas afro 8 orë diskutimesh që u zvarriten nga ndërhyrjet dhe polemikat dhe për çështje të tjera jashtë rendit të ditës. Debatet vetëm në pak raste janë përqëndruar në thelbin e 6 ligjeve për votim.

Vendimi i djeshëm i opozitës e cila ankimoi në Gjykatën kushtetuese ligjin për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, ishte shpesh pjesë e diskutimeve kryesisht të përfaqësuesve të shumicës, sipas së cilëve, ky veprim ishte dëshmi e faktit se opozita është kundër reformës: “Njërin ligj, më kryesorin, atë të vettingut e çuan dje në Gjykatën Kushtetuese në aleancë të hapur me korrupsionin dhe krimin dhe me mafien që mban peng sistemin e Drejtësisë. Ligjet e tjera që reflektojnë drejtpërdsëdrejti paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe hapin rrugën për fillimin e zbatimit të normave të reja kushtetuese, i kanë ndarë në një menu ku thonë, këtë mund ta hamë këtë nuk duam ta prekim me dorë”, u shpreh kryeministri Rama.

Por opozita nga ana e saj u kundërpërgjigj se shumica ka shkelur konsensusin si dhe vetë ndryshimet kushtetuese që u miratuan në respekt të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. “Mendon si një hajdut që të vjedhë e të shkelë parimet e kushtetuetës dhe të vendosë në ligje pikërisht ato që kundërshtoi Venecia. Jo vetëm në Gjykatë Kushtetuese do i çojmë, po në mënyrë absolute, nuk ka forum ndërkombëtar ku nuk do i çojmë. Dhe mos mendoni se gëlltisni dot ju sistemin e drejtësisë”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha.

Me miratimin sonte të kësaj pakete ligjesh, krijohet shtrati i nevojshëm për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi, pjesë e së cilës janë edhe mbi 30 ligje të tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG