Lidhje

Shqipëri: Rritje e ndjeshme e sipërfaqeve me marijuanë

  • Armand Mero

Në Shqipëri fenomeni i kultivimit të marijuanës mbetet shqetësues. Shifrat e publikuara sot nga policia shqiptare në përfundim të misionit të monitorimit nga ajri nga ana e Guardia Di Finanza-s italiane tregojnë se sipërfaqet e zbuluara janë gati 5-fishuar, ndërsa numri i bimëve të asgjësuara ka arritur mbi 2.4 milionë.

Përtej debateve politike mbi fenomenin e kultivimit të marijuanës, fakt është se përhapja e saj është në nivele shqetësuese. Goditja që ju dha në vitin 2014 Lazaratit, fshat që ishte kthyer në simbol të marijuanës, edhe për gati paprekshmërinë e tij, pritej të pasohej nga një frenim i aktivitetit të kultivimit të cannabis sativas. Në vitin 2013 vetëm sipërfaqja e mbjellë në Lazarat llogaritej të ishte 319 hektarë. Dy vjet më pas, kur ky fshat ishte fshirë nga harta e marijuanës, sipërfaqja ishte 44,7 hektarë, ndërsa këtë vit mbi 213 hektarë.

Ndonëse policia thotë se ajo ka rritur goditjen e saj, dhe se këtë vit avioni i specializuar i Guardia di Finanza-s italiane fluturoi 16 orë më shumë dhe mbi një sipërfaqe më të madhe, afërsisht në 17 përqind të territorit, rezultatet edhe nga shifrat e larta të bimëve të asgjësuara, mbi 2milion e 400 mijë të tilla, nuk flasin për një frenim të fenomenit.

Madje trafikantët kanë nisur të përdorin dhe fara të reja: “Këtë vit është evidentuar një bimë narkotike me një cikël më të shkurtër, 45-50 ditëshe e cila rezulton te jetë mbjellë na afërsisht 70 përqind të sipërfaqes, por me një efektshmëri të prodhimit të bimës më të ulët se ajo klasike”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i policisë shqiptare Haki Çako. Ai tha se janë 400 autorë të identifikuar dhe se në pranga kanë përfunduar 248 persona. Ndërsa në ndërhyrjet e saj, policia ka angazhuar 8900 forca policie dhe mbi 2600 mjete të cilat janë shoqëruar dhe me një kosto prej mbi 520 milion lekësh, afro 4 milion dollarësh.

Përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s italiane vlerësuan angazhimin e policisë shqiptare dhe bashkëpunimin me ta, duke sugjeruar që për vitin e ardhshëm: "fushata e fluturimeve ajrore të vijojë. Ajo të nisë që në muajin maj e jo në qershor, si dhe të shihet mundësia e pjesmarrjes në operacionet e asgjësimit të bimëve dhe të vëzhguesve të huaj nga vendet partnere", tha Jeselito Minuto, Drejtor i qendrës operative të Guardia di Finanza-s italiane.

Pak pas publikimit të të dhënave, kreu i opozitës Lulzim Basha i cilësoi ato si alarmante, duke drejtuar sërish gishtin e përgjegjësisë nga qeveria: "Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë brenda në organizatën më të madhe të drogës që është vetë qeveria. Këta janë Al Kaponët e drogës.Droga e 5-fishuar në territor është pra vepër e Al Kaponeve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës. Sot Saimir Tahiri duhet të ishte një ministër i shkarkuar”.

Përmes një statusi në Facebook, ministri i Brendshëm Siamir Tahiri, duke ju kundërpërgjigjur akuzave, solli në vëmendje të dhënat e viteve kur në pushtet ishin të djathtëtme 0 përqind sipas të tij të zonave të shkatërruara nga policia në 2012 dhe me vetëm 7,5 përqind në 2013. “Dje Shqipëria kishte një problem të pazgjidhur me kultivimn e marijuanës, ndërsa sot një problem që po merr zgjidhje” shkroi ai në një status në Facebook.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG