Lidhje

Rriten kërkesat për azil të refugjatëve që hyjnë nga Greqia


Autoritetet shqiptare po përballen me kërkesa të rritura për azil të refugjatëve që hyjnë nga Greqia në territorin shqiptar. Tre ditët e fundit policia kufitare shqiptare e Pikës së Kakavijës, më e madhja që lidh Shqipërinë me Greqinë, ka regjistruar rreth tridhjetë kërkesa të tilla.

Refugjatët pasi intervistohen në Kakavijë dhe pasi u jepet trajtimi i parë ushqimor dhe shëndetësor dërgohen në një qendër pritjeje në periferi të Tiranës.

Burimet policore shqiptare kanë pohuar se refugjatët janë irakianë dhe sirianë dhe mes tyre ka pasur edhe gra shtatëzëna dhe fëmijë.

Ndërkohë për rreth 23 refugjatë të tjerë të bllokuar nga policia shqiptare janë ndjekur praktikat e riatdhesimit pranë autoriteteve greke.

Transportimi i refugjatëve, në të shumtën e rasteve, realizohet nga rrjete trafikantësh shqiptarë dhe grekë që kundrejt shumave të mëdha financiare sigurojnë kalimet në zonat kufitare dhe udhëtimin në brendësi të territorit shqiptar.

Kohët e fundit është rritur numri i refugjatëve nga vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme që depërtojnë në Shqipëri prej zgjerimit të trafikut, por edhe kushteve tepër të vështira me të cilat përballen refugjatët në kampet greke. Disa prej këtyre kampeve janë në zonat afër kufirit shqiptar dhe në mjaft raste refugjatët largohen prej tyre duke iu drejtuar territorit shqiptar.

XS
SM
MD
LG