Lidhje

A po përballet Evropa me një krizë tjetër bankare?


Bankat në mbarë Evropën kanë njoftuar shkurtimin e mbi 20 mijë vendeve të punës ditët e fundit ndërsa kanë vështirësi për të siguruar fitime. Fokusi është tek gjigandi gjerman Deutsche Bank, çmimi i aksioneve të së cilës ra në nivelin më të ulët në 30 vjet pasi regullatorët amerikanë njoftuan se kërkojnë 14 miliardë dollarë gjobë lidhur me të ashtuquajturin skandal të shitjeve të huave. A po përballet Evropa me një krizë tjetër bankare?

Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzon Deutsche Bank se ka dhënë kredi banimi, duke i ripaketuar ato si bonde dhe ua ka shitur ato investitorëve në vitin 2005.

Rregullatorët e kanë gjobitur kompaninë me 14 miliardë dollarë. Deutsche Bank thotë se shuma reale mund të jetë më e ulët dhe po kështu mendojnë edhe analistët.

“Mendoj se ka shumë të ngjarë që gjoba të negociohet më ulët. Pyetja është sa më pak, sa do të jetë shuma përfundimtare. Deutsche Bank thotë se parashikon një gjobë mes 3 dhe 5 miliardë dollarë, që do të ishte e përballueshme për të. Por në fakt duket të jetë shumë më tepër se aq. ”

Nëse është shumë më tepër, analistët thonë se Deutsche Bank do të duhet të grumbullojë fonde duke u kërkuar aksionerëve para.

Nëse kjo dështon, sipas rregullave të reja evropiane aksionerët kryesorë dhe mbajtësit e bondeve duhet të grumbullojnë fonde shpëtimi. Burimi i fundit do të ishte shpëtimi me ndihmën e shtetit.

“Mendoj se një shpëtim nga shteti është i mundur. Qeveria gjermane është në një pozicion të mirë për ta bërë këtë pasi ka financa të sigurta publike, borxh dhe deficit relativisht të ulët. Por vështirësia do të jetë politike. Gjermania mbi të gjitha u ka rezistuar shpëtimeve të ngjashme në Itali kohët e fundit dhe Greqi para kësaj.”

Qeveria gjermane dhe Deutsche Bank këmbëngulin se nuk ka patur ndonjë diskutim për shpëtim nga shteti.

Disa zyrtarë të qeverisë fajësojnë politikat e interesave të ulta të Bankës Qendrore Evropiane që kanë dëmtuar fitimet e bankave. Pas pyetjeve nga ligjvënësit gjermanë javën e kaluar, presidenti Draghi mbrojti qëndrimin e tij.

“Nëse një bankë përbën një kërcënim sistematik për eurozonën kjo nuk është për shkak të interesave të ulta, por për arsye të tjera.”

Fitimet e dobëta kanë goditur banka të tjera. Commerzbank-u gjerman ka shkurtuar një në pesë punonjës ndërsa gjigandi holandez ING ka pushuar disa mijëra.

Disa banka italiane janë gjithashtu në prag të nevojës për ndihmë nga shteti.

Pra, a po shkon Evropa drejt një përsëritjeje të 2008-ës dhe një krize tjetër bankare? Ministri austriak i Financave thotë se ekzistojnë masa mbrojtëse.

"Pas krizës financiare nuk kemi punuar shumë me çështjet bankare. Por jam i sigurtë se nuk kemi një krizë bankare dhe se kjo është krizë fitimi e bankave tona.”

Nga testet e fundit të stresit del se shumica e bankave evropiane janë të forta sa për të mbijetuar. Por shenjat se interesat do të rriten shpejt janë të pakta, prandaj sfida e bilanceve të bankave duket se do të vazhdojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG