Lidhje

Çfarë pritet në debatin e sotëm Clinton – Trump


Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, do të përballet sot me kandidatin republikan, Donald Trump, në debatin e tyre të dytë televiziv. Ndërsa zonja Clinton u komentua gjerësisht si fituese e debatit të parë, debati i sotshëm do të jetë edhe më i vështirë për zotin Trump për shkak të komenteve të tij denigruese për gratë që u bënë publike dy ditë para debatit.

Zoti Trump u shpreh sot se nuk ka "asnjë shans" që ai të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë, një muaj përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 8 nëntor.

Gjatë debatit të mëparshëm televiziv, zoti Trump përballej me çështja të vështira, si p.sh. pikëpyetjet rreth pagimit të taksave për vite të tëra. Por, të gjitha këto çështje janë lënë tashmë mënjanë pas komenteve të tij denigruese për gratë, të regjistruara gjatë një bisede njëmbëdhjetë vite më parë.

Nga ana e saj, Hillary Clinton do të duhet të përballet me komentet e saj të botuara nga Wikileaks, ku tregohet se ajo shpesh përqafon një lloj pozicioni në skenën publike, ndërsa mban një pozicion krejt të kundërt në biseda private, për çështje të rëndësishme, si p.sh. tregtia apo marrëdhënia e saj me kompanitë e mëdha të bursës Wall Street. Edhe anketimet e bëra përpara këtij publikimi, tregojnë se një pjesë e madhe e amerikanëve vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj.

Ajo do të ketë mundësinë të demonstrojë sot një pamje presidenciale, për të cilën kundërshtari e ka akuzuar se nuk e ka. Të gjithë do të ndjekin me shumë vëmendje se si ajo do të përballet me kandidatin Trump pas komenteve të tij denigruese dhe aferave të tij financiare.

Ndërsa zoti Trump do të ketë mundësinë të trajtojë shqetësimet e partisë së tij në lidhje me sjelljen, temperamentin dhe aftësinë e tij për të marrë detyrën e presidentit.

Debati në Seint Ljuis, të shtetit Mizuri, do të zhvillohet si një lojë shahu, me një audiencë që do t’i ndjekë me vëmendje dhe që do të ketë edhe mundësinë të bëjë pyetje.

Kandidati Trump ka sinjalizuar se do të jetë më agresiv, duke risjellë në vëmendje historinë e shkarkimit të Bill Clinton gjatë mandatit të tij të dytë.

Komentet e tij për arsyet se pse mund të mos ketë paguar taksat, apo sulmet në Twitter ndaj Alicia Machado, ish-Miss Universi, nuk janë pritur mirë nga audienca.

Ndërsa zonja Clinton pritet të përforcojë mesazhin e saj të unitetit të dhënë gjatë një fjalimi rishtazi në Florida, ku ajo u shpreh se “ne jemi madhështorë, dhe nëse punojmë së bashku, do të bëhemi edhe më të mrekullueshëm në vitet që do të pasojnë”.

XS
SM
MD
LG