Lidhje

Debati i dytë presidencial, përplasje e ndezur mes kandidatëve


Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton dhe rivali i saj republikan Donald Trump u ndeshën mbrëmë në një debat plot tension në Seint Luis të Mizurit. Debati u zhvillua në një atmosferë të ngarkuar nga komentet e shumë republikanëve se zoti Trump duhet të tërhiqej nga gara, pasi u bë publik një regjistrim ku dëgjohej kandidati republikan duke bërë komente të ulëta për gratë. Ishte një debat që reflektonte agresivitetin e fushatës aktuale:

Tensioni ishte i dukshëm që në fillim kur kandidatët dolën në skenë por nuk shtrënguan duart, siç është bërë zakon në këto debate.

Zoti Trump u përpoq të kërkonte ndjesë për komentet vulgare për gratë, të regjistruara pa dieninë e tij 11 vjet më parë.

“Më vjen shumë turp nga ato që kam thënë, por ishin komente të pakontrolluara mes meshkujsh; ndodhin këto gjëra,” tha zoti Trump.

Zonja Clinton e përmendi regjistrimin si dëshmi se Donald Trumpi nuk bën për president dhe si një tjetër shembull i përçmimit që ka ai për gratë, latinot dhe myslimanët.

“Ky është Donald Trumpi. Tani ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes nëse edhe ne jemi të tillë,” tha zonja Clinton.

Kandidati republikan ishte në sulm gjatë gjithë debatit, duke e cilësuar zonjën Clinton gënjeshtare dhe në një moment duke iu referuar si “djalli”:

“Nëse fitoj, do të udhëzoj prokurorin e përgjithshëm të emërojë një prokuror special që analizon situatën, pasi nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë gënjeshtra dhe mashtrime,” tha zoti Trump.

“Të gjitha që sapo tha Trumpi janë absolutisht të pavërteta, por s’më vjen çudi. Është fat i madh që dikush me temperamentin e Donand Trumpit nuk është autoriteti i zbatimit të ligjit në këtë vend,” tha zonja Clinton.

“Sepse ti do të ishe në burg,” reagon zoti Trump.

Zonja Clinton përsëriti komentet e rivalit të saj për të mos lejuar myslimanët në SHBA, ndërsa zoti Trump tha se ka ndryshuar planet:

“Nuk jemi në luftë me fenë islame. Një mendësi e tillë do të ishte e gabuar dhe do t’i shërbente strategjisë së terroristëve,” tha zonja Clinton.

“Bëhet fjalë për kontroll të imtësishëm. Në zona si Siria ka dhjetëra mijëra elementë të rrezikshëm për faj të Barak Obamës dhe Hillary Clintonit,” thotë zoti Trump.

Dy kandidatët patën përplasje edhe në lidhje me Sirinë dhe Rusinë. Zonja Clinton aludoi se Rusia dëshiron fitoren e Trumpit.

“Rusia ka vendosur ta çojë fushatën deri në fund në Siri. Ata kanë vendosur se kë duan të bëhet presidenti i ardhshëm amerikan, nuk më duan mua,” tha zonja Clinton.

“Unë nuk e njoh Putinin. Mendoj se do të ishte gjë shumë e mirë nëse kemi raporte të mira, pasi mund të luftojmë bashkarisht kundër ISIS për shembull,” përgjigjet zoti Trump.

Të vetmet komente pozitive dolën në fund, kur një votues u kërkoi kandidatëve të thonin diçka pozitive për rivalin:

“Ai ka fëmijë shumë të zotë dhe të devotshëm ndaj tij,” tha zonja Clinton.

“Ajo nuk dorëzohet, nuk tërhiqet,” tha zoti Trump.

Dy kandidatët do të zhvillojnë një debat të tretë dhe të fundit në Las Vegas më 19 tetor.

Befasia përpara debatit

Kandidati republikan për president Donald Trump u shfaq para debatit në një konferencë shtypi me një grup grash që kanë akuzuar Presidentin Clinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.

Me daljen e tij të paparashikuar në një hotel të Seint Ljuisit, Zoti Trump la të kuptohet se debati i së dielës do të ishte i ashpër.

Debati i dytë presidencial Trump-Clinton u zhvillua pas komenteve fyese për gratë të bëra në vitin 2005 nga zoti Trump dhe të publikuara të premten nga gazeta Washington Post.

Zoti Trump tha të dielën se nuk ekzistonte "asnjë mundësi" që ai të largohej nga gara për Shtëpinë e Bardhë, një muaj përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 8 nëntor.

Hillary Clinton vazhdon të përballet me komentet e saj të botuara nga Wikileaks, ku tregohet se ajo shpesh përqafon një qëndrim të caktuar në publik, ndërsa privatisht mban një pozicion krejt të kundërt, për çështje të rëndësishme, si tregtia apo marrëdhënia e saj me kompanitë e mëdha të Wall Street-it.

Edhe anketimet e bëra përpara këtij publikimi, tregojnë se një pjesë e madhe e amerikanëve vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj.

Obama: Trump, “i pasigurt”

Presidenti Barack Obama tha të dielën se Donald Trump është i "pasigurt" dhe "e pompon veten", duke denigruar të tjerët.

Presidenti Obama i bëri komentet si reagim ndaj gjuhës vulgare të përdorur nga zoti Trump në vitin 2005, kur u regjistruar në një bisedë spontane duke u mburrur se mund t’i kapte femrat nga gjenitalet pasi ishte “i famshëm”. Një video me këto komentet e zotit Trump u publikua nga gazeta Washington Post të premten.

Duke bërë fushatë për anëtaren e Kongresit Tammy Duckworth në shtetin Ilinoi, zoti Obama tha se fjalë të tilla tregojnë se zoti Trump do të ishte "i pakujdesshëm me qytetarinë dhe respektin" që kërkon një demokraci e gjallë.

Edhe pse sondazhet tregojnë se zoti Trump është prapa kandidates demokrate Hillary Clinton, Zoti Obama tha se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e tillë që asgjë nuk duhet marrë si e garantuar. Ai theksoi se ka rëndësi që mbështetësit e zonjës Clinton të punojnë shumë dhe të dalin në votime më 8 nëntor.

Thirrje kandidatit Trump të largohet

Një anketë me më shumë se 1500 votues e realizuar nga “Politiko.com” dhe “Morning Consult” pas publikimit të regjistrimit, tregon se rreth 70 për qind e demokratëve, por vetëm 12 për qind e republikanëve, mendojnë se zoti Trump duhet të largohet nga gara.

Disa zyrtarë të zgjedhur republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të heqë dorë nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, nuk ka pasur konsensus se kush mund ta zëvendësonte zotin Trump, nëse ai do të dëshironte të largohej.

Ndërkohë, në SHBA ka filluar votimi i hershëm dhe me postë. Vetëm ditët e fundit janë hedhur rreth 400.000 vota. Shtetet në të gjithë vendin kanë shtypur tashmë fletëvotimet me emrat Trump dhe Pence si kandidatë republikanë; ndërkaq fletët e votimit i janë dërguar personelit të shërbimit ushtarak të stacionuar jashtë vendit.

Republikanët kryesorë, duke përfshirë edhe kandidatin për nënpresident, Guvernatorin e Indianës Mike Pence, i kanë dënuar komentet e vitit 2005 të zotit Trump.

"Unë nuk i toleroj komentet e tij dhe nuk mund t’i mbroj ato”, tha zoti Pence, i cili anuloi një fjalim të planifikuar fushate të shtunën në Wisconsin, ku pritej të fliste në vend të zotit Trump.

Senatori i Arizonës, John McCain, ish-kandidat republikan për president në vitin 2008, tërhoqi mbështetjen e tij për zotin Trump, por nuk i bëri thirrje të largohet nga gara presidenciale. Edhe ish-guvernatori i shtetit Massachusetts Mitt Romney, gjithashtu kandidat për president në vitin 2012, dënoi mburrjet seksuale të zotit Trump.

Gjuha vulgare e përdorur nga zoti Trump i vuri në vështirësi gazetat dhe mediat amerikane, të cilat nuk ishin të sigurta se si duhej t’i përshkruanin komentet e tij. Disa prej tyre i shtypën fjalët ashtu siç ishin thënë nga Trump, ndërsa të tjera përdorën eufemizma të ndryshme.

XS
SM
MD
LG