Lidhje

Mbyllet emisioni TV, gazetarët: “Presion i pushtetit”


Stafi i një emisioni investigativ “Publicus”që transmetohej në televizionin privat “Vizion Plus” në Shqipëri njoftoi se episodi i tretë i parashikuar për ditën e djeshme në mbrëmje u bllokua për shkak të trysnisë nga pushteti. “Drejtuesit e televizionit “Vizion Plus”, njoftuan se ata e nuk lejojnë transmetimin e episodit të tretë të “Públicus”, të titullur “Kodrina e vdekjes”, sipas programimit (të dielën, dt., 10. 10. 2016, ora 20:10)! Njëkohësisht, kanë tërhequr mbështetjen financiare për programin, për stafin e përfshirë për realizimin e tij dhe se kanë larguar të gjitha njoftimet publicitare për këtë program nga faqja zyrtare online e televizionit!”, shkruan në faqen në Facebook të emisionit, autorët e tij.

Sipas tyre episodi që u bllokua për transmetim ishtë “një raport mbi vdekjen tragjike të një të riu që banonte në rrethinat e ish Kombinatit, e që punonte në kushte pasigurie në Landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkëadministronte me një kompani private riciklimi. Bëhet fjalë për Ardit Gjoklajn, 17 vjeçarin që që u nda nga jeta në rrethana dramatike. Ne shkuam në Sharrë, takuam njerëz e folëm me familjarët e viktimës dhe regjistruam dëshmi. Zbuluam dokumenta të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin, pasi nuk duan të zbulohen përgjegjësitë. E të gjitha këto i përgatitëm për t’i publikuar. Por nuk na lanë!”. Ngjarja e ndodhur në Landfillin e Sharrës në 9 gusht ka ngritur që në fillim dyshime dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj Bashkisë së Tiranës, për kushtet e jashtëligjshme në të cilat detyroheshin të punonin njerëz të shtyrë nga varfëria, një pjesë e mirë e të cilëve sipas investigimeve të medias ishin në të zezë.

Në një intervistë për Rrjetin e gazetarisë investigative në Ballkan, BIRN, producenti i emisionit “Publicus”, Artan Rama, shprehet se problemet e para nisën “që kur gazetarë të emisionit trokitën në dyert e Bashkisë së Tiranës për të kërkuar informacion mbi Landfillin e Sharrës”. Më pas ia rrëfen se në ndryshim nga parë ishte thirrur që disa ditë më parë nga drejtuesit e televizionit të cilët kishin kërkuar informacion për përmbajtjen dhe më pas, një ditë përpara transmetimit i kishin komunikuar se nuk do të shfaqej. Por ndërkohë drejtori administrativ i kompanisë që menaxhon televizionin, Genc Dulaku, mohoi që mostransmetimi të jetë bërë për arsye të censurës: “Ne patëm mosmarrëveshje mbi çështje administrative me drejtorin e emisionit pasi ai qe vonuar në montimin e tij. I thashë se qe e pamundur që emisioni të transmetohej këtë javë dhe se ai mund të vijonte javën tjetër, por ai vendosi të largohet. Unë nuk mund të censuroj një emision që nuk e kisha parë”, i tha Dulaku BIRN-it, ndonëse autorët e programit këmbëngulin se ata e kishin gjithçka gati.

Producenti Rama thotë se nuk di të thotë me saktësi se kush ishte kundër transmetimit: “Unë nuk kam një provë që ta vërtetoj sepse nuk e di, por besoj se deputetë që kanë iniciuar ligjin e mbetjeve. Ishin ata që telefonuan personazhet që ne kishim intervistuar. Shumë e çuditshme është që kjo ndodh menjëherë sapo trokasim në dyert e Bashkisë së Tiranës, por unë mendoj se e gjithë fryma e programit, e cila ishte e fokusuar tek çështjet e menaxhimit të fondeve publike, mund t’i ketë trembur pronarët të cilët, në fund të fundit varen nga fondet publike, marrin fonde nga qeveria. Mendoj se vendimmarrja për të bllokuar këtë emisionin nuk lidhet vetëm me Bashkinë e Tiranës por edhe institucionet më të larta të qeverisjes”, tha ai për BIRN.

Por disa gazetarë kanë drejtuar gishtin direkt mbi Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, duke folur për “një ditë të errët për shtypin shqiptar”. Pak javë më parë një tjetër reportere njoftoi se ishte larguar nga puna pikërisht se kishte hetuar mbi rastin e Sharrës. Andi Bushati një analist i njohur, në një editorial mbi ngjarjen, e përshkruan kreun e Bashkisë si një drejtues i cili duke përdorur sipas tij pushtetin por dhe interesat që lidhin pronarët e mediave me këtë pushtet ka mundur bllokojë pasqyrimin e ngjarjes së Sharrës.

Edhe Partia Demokratike akuzoi drejtpërdrejt kryebashkiakun Veliaj, i cili sipas saj “po shfaqet si një xhelat i medias dhe fjalës së lire. Kjo është një ngjarje e rëndë për median, për lirinë e shprehjes, për një prej themeleve të demokracisë. Një ngjarje e paprecedent që ndodh në një vend që kërkon të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, deklaroi të hënën Grida Duma, Sekretare për marrëdhëniet me publikun në PD.

Por në një reagim gjatë ditës së martë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj, hodhi poshtë insinuatat apo akuzat që ai të kishte gisht në këtë çështje. “As nuk e kam parë emisionin, as nuk i njoh gazetarët, e as kam kontaktuar KURRË me Vizion Plus. Sfidoj këdo që bën gazetari të mirëfilltë të provojë të kundërtën!”, u shpreh zoti Veliaj përmes një deklarate për shtyp, duke konsideruar gjithshka si shpifje të radhës që sipas tij janë frymëzuar nga Partia demokratike.

XS
SM
MD
LG