Lidhje

Hapësira detare me Italinë në shënjestër të trafikantëve të drogës


Policia shqiptare tha se në bashkëpunim me policinë italiane zhvilluan një tjetër operacion ndërkombëtar antidroge në ujërat e Adriatikut duke sekuestruar një sasi prej 277 kg kanabis të nisur nga Shqipëria.

Sipas burimeve zyrtare shqiptare skafi me një motor 125 kuaj-fuqi është ndalur në zonën e Leçes. Policia shqiptare tha se në komunimin me policinë italiane është bërë i mundur arrestimi në brigjet italiane i katër shtetasve shqiptarë, njëri prej të cilëve drejtonte motoskafin, ndërsa tre të tjerët që ishin me qëndrim në Itali prisnin ngarkesën në breg. Si edhe në rastet e tjera policitë e të dy vendeve nuk kanë dhënë hollësi se ku u mor ngarkesa me lëndën narkotike dhe në ciln territor të Shqiëprisë ishte siguruar kultivimi i bimëve.

Bllokimi më i fundit i sasisë së narkotikëve në hapësirën detare mes të dy vendeve pason një seri operacionesh të nisura prej gushtit të këtij viti. Roja bregdetare italiane ka sekuestruar mbi dhjetë tonë marijuanë nga Shqipëria të transportuar përmes motoskafëve shumë të shpejtë, anijeve të peshkimit dhe motërëve të ujit. Zonat e nisjes së trafikantëve si shqiptarë dhe italianë janë identifikuar në bregdetin e Vlorës, Grykë-derdhjen e lumit Vjosa dhe bregdetin e Durrësit.

Rrjetet e trafikut kanë qenë aktive në transportimin e marijuanës, por këtë vit janë rigjallëruar prej sasive të mëdha të marijuanës së kultivuar gati në çdo zonë të Shqipërisë. Analistët e cështjeve të kriminalitetit vlerësojnë se në të shumtën e herës bllokohen gjatë operacioneve vetëm korrierët e drogës dhe jo organizatorët e këtij trafiku. Trafikantët po shfrytëzojnë në Shqipëri mjete të shpejta lundrimi të përforcuara nga motorë të fuqishëm duke përfituar nga heqja e një moratoriumi që ishte prej disa vitesh në fuqi.

XS
SM
MD
LG