Lidhje

SHBA dhe paga minimale


A janë të detyruar punëdhënësit t’i paguajnë punonjësit mirë, me një rrogë me të cilën mund të jetohet? Rritja e pagës për disa nga punëtorët që paguhen më pak është një çështje shumë e debatuar gjatë këtij sezoni zgjedhjesh në SHBA. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson shkoi në qytetin Portland, të shtetit Mein për të parë se si votuesit e shohin këtë çështje që mund të ndikojë në ekonominë e shtetit.

Hillary Morrison ka shumë për të menduar. Koston e qerasë, ushqimet, kredinë studentore...

“Nuk mund të kem vetëm një punë. Më duhet të marr dy ose tre punë vetëm për të përballuar jetesën,” thotë ajo.

Ajo jeton në një qytet ku kostoja e jetesës është e lartë, dhe nuk është si punëtorët e tjerë të restoranteve, sepse fiton pothuajse tre herë më shumë se paga minimale.

“Është e mrekullueshme që paguhem më shumë” shton ajo.

T’u japësh njerëzve një rrogë me të cilën mund të jetojnë është një çështje morale, thotë shefi i Hillary-t Steve Corman:

“Po përpiqem të mbaj punëtorët që kam” thotë ai.

Zoti Corman thotë se shërbimi në restorantin e tij përmirësohet, kur ai i paguan punonjësit më se shumë paga minimale prej 3.75 dollarësh në orë.

“Gjatë një të premteje apo të shtune, ata fitojnë më shumë se 30 dollarë në orë. Në qoftë se e bëjnë këtë dy apo tre ditë në javë, mund të fitojnë një rrogë të arsyeshme” thotë zoti Corman.

Kjo është arsyeja pse ai mbështet një ligj që po shqyrtohet në shtetin Mein këtë sezon zgjedhor dhe që do ta bënte situatën e Hillary Morrison-it realitet për të gjithë punëtorët.

Kudo në Amerikë, punëtorët kanë protestuar për paga më të larta, duke e bërë çështjen e pabarazisë së të ardhurave një nga më të debatuarat këtë vit zgjedhor.

“Nëse besoni se paga minimale duhet të jetë e mjaftueshme për të jetuar, dhe se askush që punon me kohë të plotë nuk duhet t’i rrisë fëmijët në varfëri, bashkohuni me ne!” tha Hillary Clinton.

Kundërshtari i saj, Donald Trump, ka bërë thirrje që qeveritë lokale të vendosin vetë për zgjidhjen më të mirë.

“Shtetet duhet të vendosin” tha ai.

Propozimi për pagën minimale dështoi në Dhomën e Përfaqësuesve të Meinit, por sipas sistemit jashtëzakonisht të hapur të këtij shteti, qytetarët mund ta risjellin ligjin në fletën e votimit në nëntor.

Një ndryshim në pagën minimale mund të detyrojë disa pronarë të restoranteve të rrisin çmimet ose të shkurtojnë shpenzimet për të mbuluar rritjen e pagës.

“Nuk besoj se vlera e një personi duhet të etiketohet sipas pagesës që merr. Nuk them se dikush vlen dymbëdhjetë dollarë në orë, por paga do të rritet nëse ne si shoqëri pranojmë të paguajmë 30 dollarë për një picë” thotë Chris Tyll, pronar restoranti.

Punonjësit mund të përmirësojnë standardet e tyre të jetesës përmes edukimit dhe stimujve të punës, në vend që qeveria ta rrisë pagën në mënyrë artificiale,

“Kjo nuk është pagë minimale, por taksë. Do të eliminohen vende pune, bizneset e vogla do të mbyllen dhe industria do të ndryshojë,” thotë ai.

Dhe, në një periudhë zgjedhjesh të karakterizuar nga pasiguria ekonomike, anketat tregojnë se ka të ngjarë që votuesit në Mein ta refuzojnë ligjin në nëntor.

XS
SM
MD
LG