Lidhje

Fushata presidenciale në SHBA


Të mërkurën dolën akuza të tjera që përfshijnë kandidatin republikan Donald Trump dhe incidente për kontakte të papërshtatshme seksuale me një numër grash. Dy gra i thanë gazetës New York Times se zoti Trump i sulmoi ato seksualisht.

Fushata e zotit Trump publikoi një deklaratë ku e hedh poshtë njoftimin e gazetës si trillim dhe e quan këtë një përpjekje për të shpifur ndaj kandidatit republikan më pak se një muaj para zgjedhjeve të nëntorit.

Trump është kritikuar ashpër për videon që u shfaq javën e kaluar, në të cilën ai bën komente denigruese për gratë.

Incidenti dhe akuzat që pasuan bënë që shumë udhëheqës republikanë, përfshi kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, të tërhiqnin mbështetjen e tyre për miliarderin Trump.

Kandidati republikan u hodh në sulm ndaj zotit Ryan gjatë një mitingu të martën në Florida.

"A nuk mendoni se Paul Ryan duhet të më përgëzonte për suksesin përpara audiencës më të madhe në historinë e debateve? Ai duhet të më përgëzonte e të thoshte: le të mposhtim Hillarin. Ajo është mashtruese dhe duhet ta ndalim. Por ai nuk e bëri këtë. "

Gjatë debatit me kandidaten demokrate Hillary Clinton të dielën mbrëma, zoti Trump e minimizoi rëndësinë e fjalëve të regjistruara në video, duke i quajtur ato thjesht biseda meshkujsh. Ai madje mohoi se kishte gisht në sjellje të tilla.

Ndërkohë, fushata e zonjës Clinton po përballet me debate të reja nga shfaqja e email-ave të publikuara në WikiLeaks.

Faqja elektronike WikiLeaks ka publikuar mijëra email-a që nga e premtja nga llogaria personale në Google e John Podestës, menaxheri i fushatës së zonjës Clinton, llogari që dyshohet se është sulmuar nga hakera rusë.

Anketat e fundit tregojnë se zonja Clinton, që kërkon të bëhet presidentja e parë grua e vendit, kryeson ndaj zotit Trump me 6.2 pikë në nivel kombëtar. Anketa u krye nga organizata Real Clear Politics.

XS
SM
MD
LG