Lidhje

Kolumbianët marshojnë për paqen


Mijëra njerëz mbushën rrugët e qyteteve në mbarë Kolumbinë për të protestuar në mbështetje të një marrëveshjeje paqeje mes qeverisë dhe një grupi rebel marksist pas më shumë se 50 vjet lufte. Marrëveshja u hodh poshtë papritur nga votuesit me referendum.

Marshimet e së mërkurës shënojnë tubimin e dytë masiv të kolumbianëve në mbështetje të marrëveshjes së paqes që u nënshkrua me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, e njohur shkurtimisht si FARC. Marrëveshja u hodh poshtë papritur nga votuesit në një referendum që përfundoi me rezultat të ngushtë.

“Po marshojmë për paqe, për pajtim, jo vetëm me Kolumbinë por me të gjithë botën, që të shihemi si popull i bashkuar, drejt procesit të paqes”, thotë një protestuese kolumbiane.

Presidenti Juan Manuel Snatos, i cili u nderua këtë vit me Nobelin për Paqen në përpjekjet e tij për arritjen e marrëveshjes, vazhdon bisedimet me politikanët opozitarë dhe përfaqësuesit marksistë për ta shpëtuar marrëveshjen.

Javën e shkuar, Santos tha se do ta zgjaste marrëveshjen e armëpushimit me rebelët deri më 31 tetor.

Votuesit kundër paqes u ndjenë të fyer nga marrëveshja, ku parashikohej amnisti për pothuajse të gjithë rebelët marksistë lidhur me krimet që ata dyshohen se kishin kryer gjatë kryengritjes, në të cilën humbën jetën më shumë se 220 mijë njerëz dhe u zhvendosën rreth gjashtë milion të tjerë.

Ata po ashtu janë të zemëruar se FARC do të ketë vende të rezervuara në kongresin e Kolumbisë, pa patur nevojë për zgjedhje, në këmbim të transformimit të kësaj organizate në një parti politike.

XS
SM
MD
LG