Lidhje

Nishani kthen ligjin për importin e mbetjeve

  • Armand Mero

Bujar Nishani president of the Republic of Albania

Bujar Nishani president of the Republic of Albania

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani njoftoi sot kthimin sërish në parlament të ligjit të miratuar pak javë më parë vetëm me votat e shumicës së majtë, për lejimin e importit të mbetjeve jo të rrezikshme.

Në shpjegimin e vendimit të tij, presidenti Nishani nënvizon se ligji “është në kundërshtim me Direktivën europiane 2008/98/EC , sipas së cilës, duhet të zbatohet parimi i “vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë” që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit, dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë”. Presidenti vëren se në vitin 2013, kur po kjo shumicë shfuqizoi nenet e ligjit që lejonin importin e mbetejeve, si arsyetim ishte përmendur pikërisht mosrespektimi i Direktivës europiane 2008/98/EC duke arsyetuar në atë kohë se, sipas kësaj Direktive “çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Gjithashtu, importi i mbetjeve bie ndesh me përparësi që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të thotë që me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo subvencionet, duhet stimuluar industria e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi nuk mund të subvencionohet trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më tepër, importi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që prodhohen brenda territorit tonë”. Sipas Kreut të Shtetit, “çuditërisht, pas tre viteve, propozuesit e ligjit mohojnë diçka të cilën e kishin pranuar më parë, duke sjellë pretekstin e përafrimit me një Direktivë tjetër që në fakt është Rregullore”.

Një tjetër arsye përse presidenti Nishani vendosi të kthejë pas ligjin është se sipas tij ai “bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: “Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’”. Sipas Kreut të Shtetit, “lejimi i importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të kompromentojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë”.

Një nga argumentat e përdorur nga qeveria në mbështetje të lejimit sërish të importit të mbetjeve jot ë rrezikshme është se në ndryshim nga 3 vjet më parë kapacitetet e kontrollit dhe mbikqyrjes janë forcuar. Por presidenti Nishani, duke ju referuar mendimeve të ekspertëve vëren se diçka e tillë nuk rezulton të jetë e vërtetë. Ai thekson se “qeveria përmes Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit ka dështuar të paraqesë një informacion të qartë në lidhje me masast konkrete të marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve ekzistuese apo kapaciteteve të tjera shtesë kontrolluese/monitoruese që do t’i shtohen strukturave të doganave apo inspektoriateve përkatëse, rritjes së buxhetit, ngritjes së laboratorëve etj, me qëllim krijimin e kushteve dhe standarteve bashkëkohore në menaxhimin e mbetjeve të importuara”.

Një arsye e tretë e dhënë nga presidenti për kthimin pas të ligjit është se “proçedurat e ndjekura në miratimin e Ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve Shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij si dhe Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”.

Lejimi sërish i importit të mbetjeve u shoqërua me polemika të shumta. Grupe të ambjentalistëve dhe të shoqërisë civile e kundërshtuan me forcë atë, siç kishin bërë edhe disa vjet më parë kur në 2011 u miratua një ligj që lejonte importin nga qeveria e atëhershme e ish kryeministrit Sali Berisha. Këtë herë e djathta është vënë në krah të kundërshtarëve të ligjit, pasi kërkoi ndjesë për të njejtin vendim që ajo kishte marrë kur ishte në pushtet. Opozita i është drejtuar me kërkesë parlamentit për organizimin e një referendumi për këtë çështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG