Lidhje

Studioja e Harvardit për Bizneset Fillestare


Të pranohesh në fakultetin e bizenesit të Universitetit Harvard është një arritje në vetvete, por çfarë ndodh pas diplomimit? Për ata që shpresojnë të hapin biznesin e tyre, studioja e re e këtij fakulteti për bizneset fillestare në Nju Jork ofron udhëzime dhe mbështetje. Për Zërin e Amerikën njofton korrespondentja Tina Trinh.

Nju Jorku është një qytet me intensitet të lartë. Por në studion për bizneset fillestare të krijuar nga fakulteti i biznesit i Harvardit, ata që kanë ambicie të jenë sipërmarrës nuk kanë pse të fillojnë vetëm. Mbi dhjetë biznese fillestare nga më të larmishmet kanë gjetur mbështetje këtu, nga ato për kujdesin shëndetësor tek kompani për realitetin virtual. E vetmja e përbashkët mes tyre: Fakulteti i Biznesit në Harvard:

“Ne kemi mbi 8000 ish-studentë në qytet, dhe menduam se do të ishte e përshtatshme ta hapnim këtu, sidomos duke marrë parasysh aktivitetet që ndodhin në Nju Jork,” thotë drejtorja e programit, Avani Patel.

Bizneset fillestare të themeluara nga të paktën një i diplomuar nga fakulteti i biznesit në Harvard kanë të drejtën të jenë pjesë e studios, e cili u ofron hapësirë për zyra dhe aktivitete për të zgjeruar njohuritë. Kjo është një pjesë e vogël e punës për të hapur një biznes:

“Je përgjegjës për të gjitha, duhet të lëvizësh që të arrish sukses,” thotë themeluesi i kompanisë Bubble.

Për këta biznesmenë, studioja i ndihmon të koordinojnë operacionet.

“Kur ata duan të merren me tregti elektronike, dhe u duhet të flasin me një ekspert dixhital, ne kemi kontakte me ekspertë me të cilët mund të flasin. Ose në qoftë se u duhet të mbledhin fonde, kemi marrëdhënie me investitorë që i ndihmojnë”, thotë zonja Patel.

Joshua Haas është themelues i “Bubble”, një mjet programimi që ndihmon përdoruesit të krijojnë aplikacione pa kodim. Ka punuar më parë nga shtëpia dhe në kafene, dhe ai e vlerëson ndjenjën e komunitetit në studio, por shton se ky privilegj shoqërohet me përgjegjësi:

“Kur je i rrethuar nga njerëz, ke dëshirë t’u tregosh se çfarë po bën dhe kjo të motivon për t’u ngritur në mëngjes dhe për të punuar” thotë ai.

Ashtu si shumica e pjesëmarrësve në këtë studio, Alex Dulac e ka provuar vetë sa i rëndësishëm është një rrjet mbështetës.

“Kur hap një kompani të re mund të ndjehesh i vetmuar, por kur ke përreth njerëz punëtorë që kanë të njëjtat vizione, të cilët përpiqen të reflektojnë anën më të mirë të tyre, të ndihmon vërtetë,” thotë ai.

Për Jigit Yigiter, shef ekzekutiv i aplikacionit Timelooper, sfidat ditore janë edhe praktike.

“Pjesa më e vështirë është gjetja e njerëzve të talentuar, rritja e grupit. Ne duhet të punësojmë dikë shumë shpejt, por duhet të punësojmë personin e duhur dhe gjetja e personit të duhur merr shumë kohë,” thotë ai.

Përmes rrjetit të Harvardit, Yigiter ishte në gjendje të gjejë punonjës të kualifikuar deri edhe në Kore të Jugut.

“Në jetën e përditshme mund të shkëputemi nga rrjeti i shokëve të shkollës, por ky vend na sjell të gjithëve bashkë nën një çati” thotë Alex Dulac.

Në Nju Jork kushdo, madje edhe të diplomuarit e fakultetit të biznesit në Harvard kanë nevojë për pak ndihmë.

XS
SM
MD
LG