Lidhje

Ashpërsohet beteja presidenciale; Donald Trump hidhet në sulm


Kandidati republikan për president Donald Trump është hedhur në sulm, ndërsa po përballet ende me akuza të grave për ngacmime ndër vite. Ai kërkoi gjatë fundjavës që së bashku me zonjën Clinton të testohen për substanca të ndaluara përpara debatit të së mërkurës. Kandidatja demokrate Hillary Clinton po përballet ndërkohë me efektet e email-eve të shefit të fushatës së saj dhe tekstet e fjalimeve të saj në takimet me firmat financiare, të marra nga piratët kompjuterikë dhe të botuara në internet nëpërmjet Wikileaks.

Gjatë kësaj fundjave, kandidati republikan për president Donald Trump, bëri akuza të reja ndaj kandidates demokrate Hillary Clinton. Gjatë një fjalimi, ai la të kuptohet se zonja Clinton përdor substanca të ndaluara.

“Në fillim të debatit, ajo ishte gjithë energji, ndërsa nga fundi kapitulloi.”

Ai madje e vazhdoi më tej duke sugjeruar të testohen për substanca të ndaluara përpara debatit të së mërkurës.

Me vetëm 23 ditë të mbetura deri në datën e zgjedhjeve, zoti Trump po thekson se ai është viktimë e një konspiracioni për ta shmangur nga procesi zgjedhor.

“Zgjedhjet po manipulohen nga mediat e korruptuara që nxisin akuza false dhe gënjeshtra në përpjekje për ta zgjedhur Hillary Clinton presidente.”

Fushata e zonjës Clinton reagoi menjëherë duke thënë se sistemi zgjedhor në SHBA është i lirë, i drejtë e i hapur, dhe se nuk duhet dëmtuar për shkak se një kandidat ka frikë se do të humbasë.

Ekipi i zonjës Clinton thotë se ajo vetë po përgatitet për t’u përballur në debatin e fundit presidencial ditën e mërkurë. Wikileaks vazhdoi të nxjerrë qindra email-e të reja të shefi të fushatës së saj, zotit John Podesta. Së bashku me tekstet e fjalimeve të saj të mbajtura në takimet me dyer të mbyllura të firmës financiare Goldman Sachs, zonja Clinton tashmë përballet me probleme të mundshme për standarte të dyfishta në deklaratat që ajo ka bërë me firmat financiare, krahasuar me deklaratat përpara votuesve ku ajo premtonte rregulla më të forta ndaj bursës Wall Street.

Zonja Clinton ishte sulmuar ashpër nga rivali i saj demokrat, Bernie Sanders, dhe të tjerë, se ajo është shumë pranë bursës Wall Street dhe anëtarëve të tjerë të elitës financiare.

XS
SM
MD
LG