Lidhje

Nxitja e arsimimit cilësor në lagjet e varfëra


Pabarazia e të ardhurave në Shtetet e Bashkuara është një çështje madhore në fushatën presidenciale, ndërkohë që hulumtimet tregojnë se 49 milion amerikanë jetojnë në varfëri, përfshi këtu 1 në katër fëmijë. Trajtimi i kësaj çështjeje është në qendër të një programi zhvillimi të një komuniteti që synon transformimin e lagjeve dhe nxjerrjen e shumë familjeve nga varfëria. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins nga Atlanta e shtetit Xhorxhia, programi në fjalë ndihmon fëmijët nga familje me të ardhura të pakta që të arsimohen, dhe kjo mund të sjellë një të ardhme më të mirë për ta.

Këta nxënës po fillojnë një rrugëtim që i vë ata në rrugën drejt arsimit të lartë dhe një karriere fitimprurëse. Daniel Shoy mbikëqyr programin për rizhvillimin e komunitetit në lagjen East Lake në qytetin Atlanta.

“Duke patur një sistem cilësor arsimimi, jemi në gjendje të ofrojmë shanse shumë të mira për fëmijët dhe familjet e tyre, kalimin përtej ciklit të varfërisë dhe përballja e tyre me botë re mundësish.”

Programi ofron arsim për fëmijët që nga moshat tre vjeçare deri sa të arrijnë në auditoret e universiteteve.

Kjo klasë përqendrohet tek shkrimi dhe leximi, duke siguruar që fëmijët të lexojnë mirë kur të arrijnë në klasën e tretë. Ndërsa rriten, përparimi i tyre matet ndërsa ata nxiten që të përparojnë. Ata shkojnë në të njëjtën shkollë të mesme të zonës e cila ka një program të rreptë dhe është përqendruar tek matematika, shkenca dhe teknologjia.

“Një rezultat që mund të theksoj është, avancimi nga vetëm pesë përqind të nxënësve të klasës së pestë që kanë përmbushur standartet shtetërore në matematikë, në 95 përqind të këtyre nxënësve që kanë përmbushur nivelin kombëtar.”

Programi është mes nismave të rizhvillimit që ofrohet për fëmijët me qëllim përmirësimin e jetës së komuniteteve.

Jalil Spearman është rritur në këtë program. Tani gjimnazisti i vitit të tretë është fokusuar drejt një karriere në inxhinieri.

“Klasat jashtë programit si inxhinieria, vallëzimi apo muzika, më ndihmojnë për të vendosur se çfarë duhet bërë në shkollë të mesme. Ndaj kur shkon në universitet je i përgatitur për ato që do të bësh.”

Shumë prej fëmijëve që vijnë nga familje me të ardhura të pakta po përparojnë sikurse fëmijët që vijnë nga shtresa e mesme. Familja e Terez Chapman u vëndos këtu 15 vite më parë. Tani ajo shkon në një shkollë profesionale dhe punon pjesërisht.

“Inkurajohesh kur sheh mbështetje nga të gjithë dhe kështu ke nxitje për t’u arsimuar dhe i vë vetes synime për të patur arritje të larta.”

Ajo thotë se mbështetja nga arsimtarët siguron që këta nxënës të jenë të përgatitur që të shkëlqejnë në shkollë dhe të kenë suksese në jetë.

XS
SM
MD
LG