Lidhje

Filmi “The Birth of a Nation”


2016 Sundance Film Festival - Awards Ceremony
2016 Sundance Film Festival - Awards Ceremony

Filmi “The Birth of a Nation” ose Lindja e një Kombi trajton kryengritjen e vitit 1831 nga një grup skllevërish në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, kundër padrejtësisë dhe shtypjes. Bazuar në një histori të vërtetë, filmi analizon pa hezitim aktet brutale që shoqëruan ngjarjen. Regjisori i filmit, Nate Parker e mori titullin nga filmi i vitit 1915, "The Birth of a Nation", të regjisorit D.W. Griffith, i cili interpreton ngjarjet e Luftës Civile nga këndvështrimi i organizatës “Ku Klux Klan”. Regjisori Parker paraqet një histori të vërtetë të Nat Turner-it, një prift i skllavëruar, i cili vendos që përmes armës të vërë drejtësinë në vend për njerëzit e tij.

Ndryshe nga shumica e filmave mbi skllavërinë, të cilët janë përqëndruar në punën dhe sakrificën e skllevërve në jugun amerikan gjatë periudhës para Luftës Civile, filmi “The Birth of a Nation” trajton temat e rebelimit dhe të hakmarrjes.

"Lavdëroni Perëndinë dhe shenjtorët, për hakmarrjen me shpata ndaj vendit të djallëzuar! Ndëshkoni njerëzit e tij!"

Filmi, trajton radikalizimin dhe rebelimin e priftit Nat Turner. Një nxënës i zellshëm, Nat kishte mësuar të lexonte nga pronarët e tij të bardhë, dhe ishte bërë një prift i njohur në komunitetin e skllevërve. Aftësia e tij për të qetësuar dhe ngushëlluar zemrat e skllevërve shfrytëzohej nga pronarët e bardhë, të cilët e shihnin Biblën si një mënyrë për t’u mësuar skllevërve pasivitetin dhe bindjen ndaj pronarëve të tyre.

"Nënshtrojuni pronarëve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë dhe të vëmendshëm, por edhe atyre që janë të ashpër".

Gjatë udhëtimeve të tij, Turner pa raste të shumta të keqtrajtimit të skllevërve dhe nuk mund t’i injoronte më ato. Dëshmitë e dhimbjes që ai shihte bënë që predikimet e tij të bëheshin gjithnjë e më luftarake, më sfiduese dhe më agresive. Ai u dënua rëndë. Gruaja e tij u përdhunua. Por, Turner nuk u nënshtrua. Regjisori Parker thotë se ai investoi në këtë histori, jo vetëm si regjisor dhe aktor, por edhe si një aktivist.

"Të kuptoja në thelb rëndësinë e personazhit të Nat Turner dhe të pasqyroja në një mënyrë pozitive dhe të sinqertë këtë histori ka qenë synimi im që nga momenti kur ndjeva nevojën për realizimin e filmit."

Filmi është një realizim i fuqishëm kinematografik, përpjekja për një pasqyrim të saktë të historisë, dhe në përpjekjen për të përcjellë një rrëfim të saktë të ngjarjes, paragjykimeve dhe abuzimit sistemik.

Për fat të keq, filmi, për të cilin flitej se mund të ishte një kandidat i hershëm për çmimin Oscar, mund të jetë i destinuar për harresë pasi qarkulluan akuzat se regjisori Parker kishte përdhunuar një vajzë gjatë kohës kur ishte student. Edhe pse ai u shpall i pafajshëm në vitin 2001, këto akuza kanë hedhur hije mbi filmin. Koha do të tregojë nëse filmi do t’i mbijetojë zhurmës negative që ka shoqëruar regjisorin e tij, si dhe mesazhit të tij që për të shtypurit, rruga drejt lirisë justifikon çdo mjet, qoftë edhe shpatën.

XS
SM
MD
LG