Lidhje

Fushë Krujë, sekuestrohen 1,3 tonë marijuanë


Afër 1,3 ton cannabis sativa e korrur dhe në proçes tharjeje u sekuestrua gjatë një operacioni të zhvilluar natën së mbrëmshme në një zonë mes Krujës dhe Fushëkrujës, në fshatin Derven. Ndërhyrja u bë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Të paktën 11 persona janë arrestuar sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë sot në mesditë. Të gjithë janë të moshave të reja nga 16 deri 29 vjeç, me përjashtim vetëm të njërit prej tyre i moshës 47 vjeç.

Sasitë mëdha të drogës janë gjetur në magazinë dhe në një shtëpi të pabanuar ku lënda narkotike përpunohej pas tharjes. Gjatë aksionit janë gjetur ndërkohë edhe sasi të ndryshme armësh dhe municionesh.

Partia Demokratike, akuzoi drejtpërdrejtë kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi si personin që sipas saj kontrollonte këtë aktivitet. Edhe më parë opozita ka denoncuar faktin se në zonën e Krujës dhe Fushë Krujës ishin mbjellë sipërfaqe të mëdha me marijuanë.

Pak ditë më parë, po në zonën e Fushë Krujës 4 persona u arrestuan ndërsa u asgjësuan 5 mijë rrënjë cannabis sativa. Të arrestuarit rekrutonin banorë të zonës për të punuar në fushat e mbjella me bimën narkotike.

Po sot u njoftua për zbulimin e një sasie prej 224 kilogram cannabis, në një banesë në fshatin Zhame, ku lënda narkotike ishte në process tharjeje. Pronari i shtëpisë u arrestua.

XS
SM
MD
LG