Lidhje

Arrestohet hakeri rus në Pragë


Byroja Federale e Hetimeve, në bashkëpunim me policinë çeke, arrestoi një shtetas rus në Pragë të mërkurën pasi kishte tentuar të kryente sulme kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, administrata Obama akuzoi zyrtarisht qeverinë ruse se kishte kryer sulme kibernetike kundër institucioneve amerikane në përpjekje për të influencuar zgjedhjet e ardhshme presidenciale, megjithëse policia nuk dha ndonjë shenjë se i arrestuari kishte lidhje me pretendimet për hakerimin e zgjedhjeve.

Pa dhënë hollësi të mëtejshme, zëdhënësi i policisë çeke David Schon tha se synimi i operacionit ishte një qytetar rus dhe se ai ishte kryer me sukses.

Në një deklaratë të vendosur në faqen elektronike të policisë thuhet se i dyshuari u arrestua në një hotel në Pragë. Policia tha se ai u rrëzua gjatë arrestimit dhe iu dha ndihma e parë para se të transportohej në një spital.

Në deklaratë thuhet se një gjykatë ceke do të vendosë nëse i dyshuari do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara megjithëse nuk është dhënë ndonjë afat kohor.

Rusia është akuzuar se po përpiqet të ndihmojë kandidatin presidencial republikan Donald Trump ndaj kandidates rivale Hillary Clinton pas email-ave të turpshme të Komitetit Kombëtar Demokrat që u publikuar muaj më parë dhe që çuan në dorëheqjen e kryetares së komitetit Debbie Wasserman-Schultz.

Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar përfshirje në sulmet kibernetike.

XS
SM
MD
LG