Lidhje

Rritje në numrin e aplikimeve për nënshtetësi para zgjedhjeve


Ndërsa afati për t’u regjistruar po përfundon, organizatat e emigracionit shpresojnë se nënshtetasit e rinj amerikanë do të regjistrohen në kohë për të votuar në zgjedhjet presidenciale më 8 nëntor. Aplikimet për nënshtetësi janë rritur me 8 për qind këtë vit, krahasuar me vitin 2012. Votimet në Amerikë organizohen nga shtetet individuale dhe afatet e regjistrimit ndryshojnë nga shteti në shtet.

Një rritje e vogël në numrin e aplikimeve për shtetësi gjatë një viti zgjedhor nuk është e pazakontë, por disa organizata thonë se këtë vit ka ndikuar edhe gara e ashpër mes kandidatit republikan Donald Trump dhe rivales së tij Hillary Clinton.

“Këto zgjedhje kanë qenë veçanërisht përçarëse kur flitet për emigracionin, dhe shumë nga aplikantët e rinj, kanë përmendur retorikën e përdorur gjatë fushata si një arsye se pse ata duan të marrin nënshtetësinë,” thotë Rachel Gittinger, e organizatës jo fitimprurëse CARECEN, e cila ndihmon emigrantët hispanikë me kërkesën dhe provimin për nënshtetësinë.

Dy kandidatët kryesorë kanë dallime të mëdha në politikat e tyre të imigracionit. Zoti Trump e nisi fushatën e tij presidenciale duke premtuar se do të ndërtojë një mur në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës dhe se do të dëbojë ata që kanë ardhur kohët e fundit ose që kanë ndenjur më gjatë se sa ia lejonin vizat.

Zonja Clinton, nga ana tjetër, ka premtuar se do të propozojë legjislacion të ri gjatë 100 ditëve të para në detyrë për të riparuar sistemin e imigracionit.

Mayra Chang lëvizi këtu nga Lima e Perusë, pesë vjet më parë. Ajo e bëri betimin për nënshtetësinë gjatë një ceremonie përballë monumentit të presidentit Jefferson në shtator. Ajo tha se zgjedhjet e motivuan atë të aplikonte për nënshtetësi.

“Është shumë e rëndësishme. Në një shkallë nga 1 deri në 10, për nga rëndësia, kjo arrin shkallën 10” thotë ajo.

Zonja Chang tha se ajo ishte veçanërisht e zhgënjyer me komentet e zotit Trump vitin e kaluar kur ai tha se meksikanët që kalojnë kufirin në mënyrë të jashtëligjshme janë “dhunues” dhe kriminelë.

Walter Llontop Araujo, një votues i pavendosur që mori nënshtetësinë në shtator, tha se ishte i gëzuar që më në fund do të ketë mundësinë të votojë.

“Është hera e parë për mua dhe mezi e kam pritur të kem mundësinë të votoj. Do të jem pjesë e këtyre zgjedhjeve me një president të ri” tha ai.

Ajo që mbetet për t’u parë është nëse 500,000 nënshtetasit më të rinj do të marrin pjesë në votime.

Votimet në Amerikë organizohen nga shtetet. Në disa prej tyre si në Misisipi, Karoliën e Jugut dhe në Virxhinia regjistirmi është mbyllur.

XS
SM
MD
LG