Lidhje

Rusia dhe zgjedhjet presidenciale amerikane


Campaign 2016 Debate
Campaign 2016 Debate

Pikëpamjet për Rusinë po luajnë rol të pazakontë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Qeveria e SHBA ka akuzuar zyrtarisht Moskën se ka kryer sulme kibernetike kundër Komitetit Kombëtar Demokrat, për të ndikuar mbi zgjedhjet në favor të kandidatit republikan Donald Trump.

Presidenti rus Vladimir Putin mohon se Rusia ka gisht. Por kjo është vetëm njëra nga çështjet që lidhet me Rusinë dhe ku dy kandidatët kryesorë, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton, kanë mendime të ndryshme.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Cindy Saine njofton.

Në dy vitet e fundit, Rusia po ndjek një politikë të jashtme më agresive: së pari, me aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e rebelëve separatistë ukrainas. Së dyti, me ndërhyrjen në Siri në favor të regjimit të Bashar al-Asadit.

Veprimet e Moskës janë bërë një temë e shpeshtë e debateve presidenciale dhe mitingjeve gjatë këtij viti. Demokratja Hillary Clinton ka mbajtur një qëndrim të ashpër:

"Dua të theksoj se fjala këtu është për ambiciet dhe agresivitetin e Rusisë. Rusia ka vendosur të përfshihet plotësisht në Siri. Ka vendosur gjithashtu se cilin do të dëshironte të shihte president të Shteteve të Bashkuara dhe sigurisht jo mua."

Antipatia duket të jetë reciproke, thotë një analist.

"Putin fajëson Sekretaren Clinton për protestat kundër kthimit të tij në pushtet në vitin 2012. Ai mendon se pas protestave qëndronin Shtetet e Bashkuara, dhe sidomos Departamenti i Shtetit."

Nga ana e tij, Donald Trump është përpjekur të minimizojnë komentet e tij pozitive për presidentin Putin:

"Unë nuk e dua dhe as e urrej Putinin. Do të shohim se si do të shkojnë punët. Ndoshta do të kemi marrëdhënie të mira. Ndoshta do të kemi marrëdhënie shumë të këqia, ose diku në mes."

Qëndrimi i zotit Trump ndaj Rusisë ndryshon në mënyrë dramatike nga pothuajse të gjithë udhëheqësit kryesorë të politikës së jashtme, republikanë dhe demokratë, thotë një ekspert i çështjeve të terrorizmit.

"Ai beson se qëndrimet e Rusisë, si: teza e vjetërimit të NATO-s, shkatërrimi i Bashkimit Evropian, lejimi i Rusisë për të patur liri të plotë në Europën Lindore, apo lejimi që Rusia të bëjë si të dojë në Siri, janë thuajse një listë e plotë e kërkesave të Vladimir Putinit."

Por, aty ku zonja Clinton dhe të tjerë shohin agresivitetin e Rusisë, zoti Trump sheh një mundësi.

"Mendoj se do të ishte shkëlqyeshëm nëse ne shkojmë mirë me Rusinë, sepse mund të luftojmë ISIS-in së bashku, për shembull. Por unë nuk e njoh Putinin".

Për fushatën e zonjës Clinton, piratimi i e-maileve të saj është dëshmi se presidenti Putin do të donte të shihte zotin Trump si president të ardhshëm amerikan.

Fushata e zotit Trump thotë se votuesit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje përmbajtjes së dëmshme të e-mailave të Partisë Demokrate, sesa faktit se kush qëndron prapa këtyre e-maileve.

Përsa i takon Ballkanit, kandidatët nuk kanë komentuar në mënyrë specifike. Por një këshilltare e zonjës Clinton për politikën e jashtme, Laura Rosenberger, i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se, me zgjidhjen e konflikteve në Ballkan, atje janë hapur mundësi, ndonëse ka ende sfida.

“Do të jetë me rëndësi që të vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje kësaj pjese të botës, në mënyrë që roli udhëheqës amerikan, i cili pati aq rëndësi për t’u dhënë fund luftrave dhe spastrimit etnik, të ndihmojë që këto vende të vazhdojnë në rrugën e stabilitetit, mirëqenies dhe integrimit evropian”.

Këshilltarja foli për lidhjet e veçanta të familjes Clinton me Ballkanin dhe historinë e këtyre lidhjeve. Ajo tha se për zonjën Clinton, kur ishte Sekretare Shteti, kishte rëndësi puna për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës dhe se ajo do të donte të vazhdonte në atë drejtim.

XS
SM
MD
LG