Lidhje

100 trupa amerikane në Mosul


Më shumë se 100 trupa amerikane janë duke shoqëruar forcat irakiane dhe kurde Peshmerga në operacionin për të rimarrë qytetin e Mosulit nga forcat e Shtetit Islamik. Ofensiva po mbështetet edhe me sulme ajrore të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Mijëra trupa irakiane dhe luftëtarë kurdë ndodhen në periferi të Mosulit.

Një zëdhënës i Pentagonit u tha gazetarëve se ushtarët amerikanë janë duke ndihmuar rreth 10.000 luftëtarë kurdë, 18.000 ushtarë irakianë dhe dymijë policë irakianë në betejën e tyre me forcat e Shtetit Islamik, të cilat para dy vitesh pushtuan qytetin e dytë më të madh në Irak.

Ofensiva e shumëpritur, e mbështetur me sulme ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe që përfshinë forca ‘suni dhe militantë shiitë, mbetet në periferi të Mosulit.

Presidenti Barack Obama, duke folur të martën në Uashington, shprehu besim ndaj luftës për çlirimin e Mosulit, duke paralajmëruar se kjo do të jetë një përpjekje e vështirë:

"Ndoshta atje ende jetojnë një milion civilë, kështu që përveç çrrënjosjes së ISIS-it, fokusi ynë i përbashkët është edhe siguria dhe ndihma humanitare për civilët që po ikin nga luftimet. Kjo do të jetë një përparësi e lartë e dy qeverive tona."

Ky është operacioni ushtarak më i madh dhe më i ndërlikuar në Irak që nga largimi i forcave amerikane luftarake nga vendi, pesë vjet më parë. Ofensiva në Mosul ka nxitur agjencitë ndërkombëtare të ndihmave që të nxjerrin paralajmërime për një krizë të mundshme humanitare.

Vlerësohet se forca e Shtetit Islamik në Mosul përbëhet nga rreth 3.000 deri në 5.000 luftëtarë, por zyrtarët amerikanë thonë se në Mosul ndodhen luftëtarët më të përgatitur dhe më të përkushtuar ndaj ideologjisë në cilën bazohet lufta e Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG