Lidhje

Trump parashtron planin për 100 ditët e para


Kandidati republikan për president Donald Trump propozoi një shkurtim prej 35 përqind të taksave për klasën e mesme amerikane ndërsa parashtroi planin e tij për 100 ditët e para në Shtëpinë e Bardhë nëse fiton zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Zoti Trump propozoi gjithashtu të vendos kufizime të mandateve për anëtarët e kongresit, ndalimin e përkohshëm të punësimeve në qeverinë federale dhe pakësimin e regullave federale.

“Ne do të thajmë moçalin në Uashington dhe ta zëvendësojë atë me një qeveri të re nga populli dhe për popullin,” tha zoti Trump në qytetin historik të Gettysburgut në Pensilvani.

Fjalimi, shihet si një përpjekje për ta çuar vëmendjen përsëri tek përparësitë e zotit Trump dhe larg polemikave që e kanë ndjekur atë javët e fundit.

Zoti Trump krijoi trazira kur tha në debatin e fundit presidencial të mërkurën se nuk do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve. Ai më vonë u tërhoq, duke rënë dakord për të pranuar rezultatet dhe duke rezervuar të drejtën për të sfiduar ligjërisht një rezultat të "diskutueshëm".

Trump gjithashtu tërhoqi zemërimin e disa votuesve dhe politikanëve republikanë dhe demokratë këtë muaj për shkak të komenteve të shthurura që ai bëri në lidhje me gratë dhe akuzave nga më shumë se 12 gra se ishin viktima të sulmeve seksuale nga zoti Trump.

Trump mbajti fjalimin e tij në Getisburg të Pensilvanisë, vendi i betejës më vdekjeprurëse të Luftës Civile Amerikane dhe të fjalimit të famshëm të presidentit republikan Abraham Linkolnit në vitin 1863.

Me zgjedhjet presidenciale më pak se tre javë larg, kandidatët po i afrohen sezonit të fundit të një fushate të hidhur.

Kandidatja demokrate Hillary Clinton mban dy fjalime sot në Pensilvani; një në Pitsburg dhe një tjetër në Filadelfia.

Trump mbajti fjalimin sot ndërsa anketat tregojnë se ai është pas rivales demokrate Hillary Clinton në nivel kombëtar dhe në shtetet kyçe.

Sipas organizatës RealClear Politics zonja Clinton kryeson ndaj zotit Trump me më shumë se 6 përqind mes votuesve në nivel kombëtar.

XS
SM
MD
LG