Lidhje

Sulmi kibernetik u shtri në disa pjesë të SHBA-së dhe Evropës


Njëmbëdhjetë orë pas sulmit të parë kibernetik që goditi një ditë më parë Shtetet e Bashkuara, kompania e trafikut të internetit “Dyn” njoftoi se problemi ishte zgjidhur.

Ndërprerjet filluan në Shtetet e Bashkuara dhe u përhapën në disa pjesë të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar ndërprerje të lidhjes me disa faqe popullore interneti, ndër to edhe rrjeti social Twitter, rrjeti i transfertave monetare PayPal, rrjeti i muzikës Spotify dhe ai i diskutimit online Reddit.

Me seli në Nju Hemshër, kompania “Dyn” që menaxhon pjesë kritike të infrastrukturës së internetit, tha se sulmi kishte filluar dje rreth orës 11:00.

Serverat e kësaj kompanie menaxhojnë trafikun e internetit nëpërmjet sistemit DNS (Domain Name System). Sapo kompania kishte arritur të zmbrapste sulmin e parë, u përball me një sulm të dytë rreth orës 17:00, dhe një tretë në orët e vona të darkës. Kompania tha se është duke hetuar tashmë një shumëllojshmëri sulmesh.

Njerëzit përjetuan një ngadalësim të përgjithshëm të internetit. Sulmi i tipit DDOS (distributed denial of service) synon të mbingarkojë pjesë të caktuara të trafikut të internetit me synim përfundimtar fikjen e tij.

Sulme të tilla janë të shpeshta, por përmasat e paprecedenta të sulmit të fundit tregojnë për fuqizimin dhe sofistikimin e tyre.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se rritja e paisjeve që janë të lidhura me internetin do të sjellë rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se po heton për të gjitha shkaqet e mundshme, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e quajti sulmin keqdashës, por shtoi se nuk disponon informacion për autorët.

XS
SM
MD
LG