Lidhje

Inflacioni në SHBA vazhdon nën nivelin e synuar


Zyrtarët e lartë të ekonomisë amerikane janë në mëdyshje për arsyet pse përpjekjet për të mbajtur çmimet dhe papunësinë të qëndrueshme nuk kanë sjellë rezultatin që pritej. Megjithëse banka qendrore ka ulur normat e interesit dhe ka ndërmarrë hapa të tjerë të paprecedentë, inflacioni vazhdon të mbetet nën nivelin e synuar. Kjo dilemë po shfaqet në periudhën kur fushata për zgjedhjet presidenciale po nxjerr në pah shqetësimin e votuesve për ekonominë.

Ngritja e çmimit të naftës është një nga arsyet pse çmimet patën një rritje të lehtë në Shtetet e Bashkuara.

Rritja e vogël e çmimeve muajin e kaluar rezulton në një rritje të përgjithshme prej 1.5% krahasuar me vitin e kaluar.

Konsumatorëve nuk u pëlqen rritja e çmimeve, por ekspertët thonë se një nivel inflacion prej 2% do të ishte gjëja më e mirë për ekonominë.

Gjatë krizës financiare, rritja e papunësisë uli inflacionin, ndërsa pritej që shtimi i vendeve të punës do të rriste kërkesën dhe çmimet.

Kryetarja e Rezervës Federale thotë se vendet e punës janë rikthyer, por inflacioni mbetet më i ulët se duhet.

“Megjithëse inflacioni ra gjatë krizës, rënia ishte modeste krahasuar me sa shumë u rrit papunësia. Po kështu, pas kapërcimit të krizës dhe rimëkëmbjes së tregut të punës, rritja e rrogave dhe çmimeve ishte relativisht e vogël”.

Zonja Yellen bën thirrje për më shumë studime për mënyrat se si papunësia dhe optimizmi i konsumatorit ndikojnë tek inflacioni.

Është e qartë tashmë se pritshmëritë e ulëta për inflacionin janë bërë realitet.

“Perceptimi i përgjithshëm i inflacionit kushtëzon ndryshimet në çmime që bëjnë firmat dhe rritjen e rrogave për punonjësit”.

Zoti Varvares thotë se krahas pritshmërive, inflacioni ndikohet edhe nga kërkesa në tregun e punës që sjell rritje rrogash për punonjësit, si dhe kërkesa në tregun e lëndës së parë që rrisin koston e produkteve.

Për miliona amerikanë të moshuar, inflacioni ka rëndësi pasi ndikon programin e pensioneve të menaxhuar nga qeveria, i quajtur Sigurimet Shoqërore. Pagesa shtohet kur rritet inflacioni. Rritja e këtij viti është e pakët rreth katër dollarë në muaj më shumë për çdo person.

XS
SM
MD
LG