Lidhje

SHBA: Kandidatët përqendrohen te Florida


Clinton Trump

Clinton Trump

Tani që kanë mbetur vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton po bëjnë fushatë në Florida, një shtet i rëndësishëm për të dy kandidatët në garën presidenciale.

Florida, në pjesën juglindore të vendit, është më i madhi ndër shtetet me një garë të fortë për zgjedhjet e 8 nëntorit. Ajo ka 29 vota elektorale, nga 270 të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e zgjedhin presidentin çdo katër vjet nëpërmjet kolegjit zgjedhor, një sistem që u jep më shumë ndikim në rezultatin e përgjithshëm shteteve me popullsi më të madhe, në vend të votës popullore.

Sondazhet në Florida tregojnë se ish-sekretarja e shtetit Clinton, kryeson ndaj zotit Trump me rreth katër përqind në këtë shtet, ku deri tani kanë votuar rreth 1.6 milionë njerëz në qendrat e votimit të hershëm, ose me postë.

Manjati i pasurive të patundshme Trump, që ka një shtëpi buzë oqeanit në këtë shtet, tha se është "ndoshta e vërtetë" që ai nuk mund të bëhet presidenti i 45-të i vendit pa fituar Floridën. Anketat tregojnë se ai është 5 përqind prapa zonjës Clinton në shkallë vendi. Ai është prapa edhe në shtete të tjera, ku zakonisht garat janë të paparashikueshme në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

Zoti Trump ka bëtë fushatë në shtatë qytete të Floridës gjatë tre ditëve, duke u thënë votuesve se ai është përpara rivales Clinton dhe duke vënë në lojë anketat, që sipas tij, janë të manipuluara. Ai tha mediat e vendit janë bashkuar me fushatën Clinton për të krijuar "zgjedhje të manipuluara". Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë provë për parregullsi në votime.

"Mediat nuk janë thjesht kundër meje", tha zoti Trump dje në një miting përpara simpatizantëve që brohorisnin në qytetin Saint Augustin. "Ata janë kundër të gjithë juve, janë kundër asaj që ne përfaqësojmë."

Të martën, ai tha se reforma e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, e njohur gjerësisht si Obamacare, duhet të "shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë". Qeveria ka njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 për qind vitin e ardhshëm.

Clinton ka bërë thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij.

12 shtete do të jenë përcaktues për rezultatin e zgjedhjeve

Politika amerikane nuk i trajton të gjitha shtetet njëlloj gjatë fushatës presidenciale. Në ditët e fundit përpara ditës së votimit në 8 nëntor, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump janë fokusuar në një grusht të vogël shtetesh të ashtëquajtura “fushëbetejë” ose shtete të “lëkundura”, të cilat do të jenë përcaktuese në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Për vite me radhë, në Shtetet e Bashkuara ka patur ndarje të theksuara politike dhe shumë shtete, kanë anuar me njerën apo tjetrën parti gjatë zgjedhjeve.

Në shumë shtete një parti ka një avantazh të fortë dhe nuk ka arsye për të shpenzuar shumë burime në atë shtet,” - thotë Stephen Wayne, analist në universitetin Georgetown.

Prandaj ka rreth 12 shtete të ashtëquajtuara, “fushëbeteje” apo “të lëkundur” ku Trump dhe Clinton shpenzojnë shumicën e kohës, thotë eksperti Jeremy Mayer, i universitetit George Mason.

“Lista mund të ndryshojë nga vitit në vit, megjithatë në tre ciklet e fundit zgjedhore ka qëne e pandryshuar.”

Shtetet e kuq, blu dhe të lëkundur

Shtetet e lëkundura që marrin më shumë vëmendje përfshijnë shtete të mëdha si Florida, Ohajo dhe Kolorado si dhe më të vogla si Karolina e Veriut, Virxhinia, Ajoua, Nevada dhe Nju Hempshër. Zoti Mayer shton se votuesit në këto shtete marrin peshën më të madhe të publicitetit.

“Këto shtete janë shënjestra e gjithë debatit zgjedhor. Të dyja fushatat, në një vit normal kanë njerëz në terren, reklama televizive, telefonata në adresë të votuesve në këto 12 shtete”- thotë zoti Mayer

Këtë vit fushata zgjedhore e zonjës Clinton po kërkon të bëjë histori duke shtrirë hartën garuese në shtete historikisht republikane siç është Arizona, Xhorxhia madje dhe Teksasi.

Sondazhet tregojnë një garë mjaft të ngushtë në Arizonë, në veçanti. Por zonja Clinton ka shumë shanse të fitojë edhe në Xhorxhia e Teksas. Arizona ka votuar për herë të fundit për një demokrat në vitin 1996, ndërsa Teksasi mbështeti demokratin Jimmy Carter në 1976.

Rënia e votuesve të bardhë

Ndryshimet demografike kanë sjellë një sfidë në rritje për republikanët. Votuesit e bardhë përbëjnë rreth 70% të të gjithë votuesve në këto zgjedhje, ndërkohë që vendi vazhdon të jetë në proces diversifikimi. Në 1980 votuesit e bardhë përbënin 88% të elektoratit. Raporti “Cook Political” thekson se në 1980 republikani Ronald Reagan mori 56% të votave të bardha dhe fitoi garën bindshëm. Në 2012, republikani Mitt Romney e përmirësoi këtë shifër. Ai mori 59% të votave të votuesve të bardhë por humbi garën përballë presidentit Barack Obama me 4% diferencë.

Në shënjestër: të pavendosurit

Në ditët e fundit të fushatës, kandidatët do të shënjestrojnë një grup të vogël votuesish në disa shtete ku zgjedhjet janë në teh.

Në fokus janë ata pak të pavarur” - thotë analistja e Universitetit “Amerikan” Jennifer Lawless. Por nuk janë vetëm ata, është më pak se aq, janë ata pak të pavarur që jetojnë në shtetet e fushëbetejës. Pra ne po flasim për një përqindje shumë, shumë të vogël të popullsisë”.

Amerikanët do të vendosin të zgjedhin mes dy kandidatëve në procesin zgjedhor më të debatuar në historinë amerikane. Fokusi mbetet tek një grusht shtetesh që me shumë gjasë do të jenë përcaktues për rezultatin.

XS
SM
MD
LG