Lidhje

Gjykata autorizon VW të paguajë 14.7 miliard dollarë për skandalin


Një gjykatës federal amerikan ka autorizuar kompaninë Volkswagen AG që të paguajë shumën rekord pre 14.7 miliard dollarësh për zgjidhur skandalin më të madh në industrinë e makinave në historinë e Shteteve të Bashkuara. Vendimi u mundëson pronarëve të rreth 475 mijë makinave volkswagen dhe audi me motor me naftë 2.0 që t’i kthejnë mbrapsht makinat përkundrejt një pagese duke filluar që nga java që vjen.

Marrëveshja është zhvillimi i fundit që kur kompania Volkswagen e pranoi shtatorin e kaluar se kishte manipuluar me testet e ndotjes që shkaktonin makinat me naftë, që rezultatet të dukeshin më të mira nga sa ishin. Skandali ka dëmtuar tregtinë globale të prodhuesit të makinave dhe detyruar largimin e shefit ekzekutiv të kompanisë. Michelle Krebs është analiste me përvojë me “Autotrader”.

“Sfida më e madhe për Volkswagen-in do të jetë rifitimi i besimit tek firmat që tregtojnë automjetet dhe përfundimisht tek konsumatorët. I duhet të dalë me produkte të reja për tregun amerikan, gjë që po fillon ta bëjë, kryesisht në segmentin e makinave sportive. Por do të duhet shumë kohë që Volkswagen ta marrë veten në tregun amerikan.”

Në bazë të marrëveshjes, prodhuesi gjerman i makinave duhet të shpenzojë deri në 10 miliard dollarë në blerjen mbrapsht të makinave në fjalë dhe kompensojë pronarët e tyre. Volkswagen duhet të shpenzojë po ashtu 4.7 miliard dollarë në programe për makina me ndotje më të pakta dhe miqësore me mjedisin.

Deri më sot, Volkswagen ka rënë dakord të paguajë 16.5 miliard dollarë për firmat që shesin automjetet, shtetet amerikane dhe avokatët për pronarët e makinave në fjalë.

Prodhuesit të dytë më të madh në botë të makinave do t’i duhet të shpenzojë edhe miliarda dollarë për të riparuar 85 mijë makina me motorë 3.0 dhe për të paguar gjobat federale për shkeljen e ligjit për ajër të pastër.

XS
SM
MD
LG