Lidhje

Aktiviteti "Ditët e Letërsisë" në Miçigan


Nga aktiviteti i vitit 2015

Nga aktiviteti i vitit 2015

Në datat 28, 29 dhe 30 tetor në Miçigan do të mbahen aktivitetet letrare “Ditët e Letërsisë” dhe “Dita e Librit”, tre ditë të përkushtuara letërsisë shqipe. Më shumë se 30 krijues shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar nga pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, por edhe nga Franca dhe Zvicra, do të marrin pjesë. Zoti Pjetër Jaku, një nga organizatorët e aktivitetit i tha Zërit të Amerikës se është një “festë krijuesish për krijuesit” që ndër vite ka tërhequr autorë bashkëkohorë shqiptarë të njohur. “Nuk është thjeshtë një promovim librash, por një manifestim letrar” shtoi ai.

Këtë vit është përvjetori i 15-të të “Ditëve të Letërsisë”, një festim letrar i organizuar nga stafi i revistës periodike "Kuvendi". Takimi i parë u mbajt më 23 tetor të vitit 2001 në ambjentet e qendrës së Kishës së Shën Palit në Roçester Hills, në periferi të Detroitit. Gjatë aktiviteteve diskutohen shkrimet e autorëve para botimit, flitet për krijimtarinë, dhe jepen çmime letrare.

Sipas zotit Jaku. si fillim u zgjodh data 23 tetor për të festuar 130 vjetorin e ditëlindjes së Gjergj Fishtës. Por tetori është një muaj domethënës edhe për shkrimtarë të tjerë shqiptarë, dhe se“vjeshta, është edhe një muaj i përshtatshëm për poetët” tha ai.

Z. Jaku i tha Zërit të Amerikës se ky aktivitet është bërë i mundur falë përkushtimit të komunitetit të artistëve shqiptarë në Miçigan dhe ndihmës së anëtarëve të komunitetit të gjerë shqiptar të Detroitit. Megjithatë, ai shton se nuk janë të vogla sfidat për organizimin e aktiviteteve të tilla.

Edhe pse diaspora shqiptare merr shpesh thirrje nga udhëheqja shqiptare rreth nevojës për mbështetje në Shqipëri, nga ana tjetër, ajo ç’ka mungon, sipas zotit Jaku, është se nisma të tilla kulturore si “Ditët e Letërsisë” në diasporë nuk marrin mbështetje nga institucionet shtetërore. “Mbështetja që do të dëshironin nuk janë thjeshtë fondet, por edhe promovimi i një aktiviteti si ky”.

Por dashamirësit e letërsisë shqiptare në Miçigan, shtete të tjera amerikane si edhe në Evropë, shpjegoi zoti Jaku, kanë arritur të sigurojnë mbarëvajtjen e një aktiviteti letrar të suksesshëm për një dekadë e gjysmë dhe kanë në plan të vazhdojnë në vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG