Lidhje

Shqipëri, rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve


Në Shqipëri kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj deklaroi mbrëmë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i pak ditëve më pare, për të pezulluar ligjin për Rivlerësimin e Gjykatësve dhe Prokurorëve, dhe dërgimin e tij për opinion në Komisionin e Venecias, ka ardhur sipas tij më tepër për shkak të frikës së një pjese të anëtarëve të kësaj Gjykate se mund të preken nga zbatimi i Ligjit.

Duke folur në emisionin Top Story në televizionin Top Channel, zoti Xhafaj e cilësoi si të pazakontë faktin që Gjykata nuk e ka arsyetuar këtë vendim të sajin, duke shtuar se “mënyra sesi është marrë vendimi, arsyet që e kanë çuar Gjykatën Kushtetuese në këtë vendimarrje, të bindin që kjo është një gjë e llogaritur në funksion të frikës, ose më saktë të presionit që ka një pjesë e mirë për shkak se janë subjekte të drejtpërdrejta të ligjit, por nga ana tjetër janë edhe një arsye shumë e fortë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi”.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pasi tre javë më parë Partia demokratike ashtu siç dhe kishte paralajmëruar më herët, i paraqiti asaj kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit si dhe shpalljen antikushtetuese të përmbajtjes së tij. Në marrjen e vendimit, anëtarët e gjykatës mësohet të kenë vlerësuar se zbatimi i procedurave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që do të merret në shqyrtim vlefshmëria apo jo e ligjit, do të kishte pasoja të pariparueshme. Por për zotin Xhafaj, një arsyetim i tillë nuk qëndron: “Ligji në të vërtetë, pas 4-5 muajsh fillonte efektet reale të tij. Do të vijnë përfaqësuesit ndërkombëtarë të monitorimit, që janë bllokuar sepse nuk fillon ligji efektet, nuk mund të rekrutohen, së dyti do të hapet gara këtu për anëtarët vendas të gjykatës së vlerësimit, të vettingut. Pra kishte të gjithë kohën e mjaftueshme Gjykata Kushtetuese që t’i drejtohej Venecias, të merrte përgjigjje prej saj dhe më pas të vendoste pa e pezulluar ligjin”.

Ligji për Rivlerësimin e Gjykatësve dhe Prokurorëve konsiderohet si elementi kryesor i të gjithë procesit të Reformës , duke synuar kalimin në sitë të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve si dhe verifikimin e pasurive të tyre, me qëllim spastrimin e radhëve të Drejtësisë nga elementët e korruptuar. Por përmbajtja e tij ka qenë objekt debatesh të forta mes shumicës dhe opozitës e cila që në Komisionin e Reformës paraqiti një sërë vërejtjesh, veçanërisht lidhur me organet që do të përfshiheshin në process për dhënien e informacioneve. Sipas opozitës, përfshirja e institucioneve që varen nga ekzekutivi përbën një përpjekje direkte për kontrollin e procesit nga ana e qeverisë.

Ligji ka patur një mbështetje publike nga misionet e asistencës ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit europian të cilët kanë qenë direkt të përfshirë në hartimin e tij. Bashkimi europian ka vënë mënjanë dhe financime të shumta për procesin e rivlerësimit, ndërkohë që ekspertë të tij janë parashikuar të kenë një peshë domethënëse në vedimmarrjen e institucioneve që duhet të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese praktikisht ngrin të gjithë procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, pasi asnjë prej institucioneve të parashikuara nuk mund të ngrihet dhe të funksionojë, nëse anëtarët e tyre nuk kalojnë më parë filtrin e rivlerësimit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë reaguan përmes një deklarate ku theksonin se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit”, saktëson deklarata.

Komisioni i Venecias, siç njoftoi televizioni “Vizion Plus” parashikon që të përmbyllë shqyrtimin e kërkesës së Gjykatës Kushtetuese brenda ditëve të para të muajit dhjetor kur do të mblidhet dhe sesioni i tij i radhës. Zoti Xhafaj tha se deri atëherë dhe në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese parlamenti do të vazhdojë me paketën e ligjeve të tjera mbështetëse të Reformës në Drejtësi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG