Lidhje

Reforma zgjedhore, OSBE: Shqetësim i thellë për vonesat


Në Shqipëri, zyra e OSBE-së shprehu sot “shqetësim të thellë” për vonesat në procesin e realizimit të reformës zgjedhore. “Zgjedhjet po vijnë, ka mbetur vetëm një muaj e gjysmë deri në fillimin zyrtar të përgatitjeve, mandati i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore skadon më 9 dhjetor dhe procesi i reformës zgjedhore nuk ka nisur ende. E thënë thjesht, nuk ka më kohë për të humbur!”, deklaroi shefja e zyrës politike të OSBE-së, Carolina Ramos Da Costa. Zyrtarja e organizatës ripërsëriti gatishmërinë për të ndihmuar parlamentin në realizimin e reformës zgjedhore, “por nëse duam që ndryshimet në ligj të zbatohen si duhet, duhet të krijojmë hapësirën e duhur kohore përpara zgjedhjeve. Vetë ambasadori Borchardt më kërkoi që ta nxit komisionin e posaçëm të mblidhet dhe të rifillojë punën, me kapacitet të plotë, sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ajo.

Sipas OSBE-së “është thelbësore që reforma të përfundojë në kohën e duhur përpara zgjedhjeve. Që kjo të bëhet realitet, komisioni duhet t’u japë përparësi fushave të tij të punës, në mënyrë që të realizojë një reformë zgjedhore e cila i trajton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që, gjithashtu, i përfshin të gjithë aktorët në një proces transparent”, nënvizoi Da Costa.

Pak ditë më parë edhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) ju drejtua me një letër të hapur Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, në të cilën vinte në dukje “gjendjen alarmante në prag të dështimit të procesit të reformës legjislative të kuadrit ligjor zgjedhor”. Sipas Koalicioni “është urgjent miratimi i kalendarit të punës së Komisionit Parlamentar. Kalendar, që pritet të përcaktojë me dakortësi mbipartizane se kush janë çështjet që gjykohet se mund të marrin amendime, në kontekstin kohor aktual dhe sesa ato mund të marrin zbatim në kontekstin e kapaciteteve vendase”, nënvizon letra përmes së cilës ju bëhet “thirrje anëtarëve të Komisionit që në këto rrethana jashtë të zakonshmes nevojitet të ngrihet edhe puna, transparenca si dhe vullneti i tyre, duke shfrytëzuar në tërë limitet e veta fizike 7 javëshin kohor të mbetur”.

XS
SM
MD
LG