Lidhje

Energjia e rinovueshme dhe panelet diellore


Teksasi që njihet për prodhimin e naftës, është bërë një shtet udhëheqës në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme, dhe kryesisht energjinë e prodhuar nga era. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus nga Hjustoni, edhe prodhimi i energjisë nga panelet diellore po rritet me shpejtësi në Teksas, i nxitur nga numri i konsiderueshëm i ditëve me diell dhe rënia e çmimit të paneleve diellore gjatë viteve të fundit. Siç na njeh materiali në vazhdim, ekonomia po e tejkalon politikën kur është fjala për këtë çështje.

Në prill të këtij viti, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vizitoi qendrën kërkimore për energjinë diellore në Universitetin e Teksasit në Austin. Ai foli për përfitimet mjedisore dhe ekonomike të prodhimit të energjisë diellore.

"Miliona vende pune do të krijohen nga ndërtimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i këtyre objekteve të prodhimit të energjisë."

Republikanët konservatorë, të cilët kontrollojnë qeverinë e këtij shteti, janë skeptikë ndaj ndryshimeve klimatike, kështu që mbështetja e tyre për energjinë e rinovueshme është thjeshtë për arsye ekonomike.

Shteti ka investuar në linjat e tensionit të lartë dhe infrastrukturë për të sjellë energji elektrike me kosto të ulët nga turbinat me erë në zonat e largëta tek qendrat e mëdha urbane.

"Gjatë 5 apo 10 viteve të ardhshme, do të ketë më shumë investime në rrjet dhe kjo do të lehtësojë më shumë prodhimin e energjisë diellore."

Andy Bowman është president i kompanisë “Pioneer Green Energy”, që merret kryesisht me prodhimin e energjisë nga era, por tani ka filluar projekte për prodhimin e energjisë diellore.

"Shumë kompani të prodhimit të energjisë nga era kanë filluar të merren edhe me prodhimin e energjisë diellore për shkak të kostos së saj të ulët. Është mjaft konkurruese jo vetëm ndaj energjisë së prodhuar nga era por edhe ndaj asaj të pordhuar nga karburantet."

Jennifer Ronk, një eksperte e energjisë së rinovueshme në Qendrën e Studimeve të Avancuara të Hjustonit, thotë se është e logjikshme që kompanitë të merren si me prodhimin e energjisë nga era dhe nga dielli.

"Gjatë natës ka më shumë erëra dhe përdoret më pak elektricitet. Prandaj, instalimi i paneleve diellore, që natyrisht prodhojnë më shumë energji gjatë ditës, balancon sistemin e prodhimit të energjisë."

Ajo thekson nevojën e prodhimi të baterive më të fuqishme dhe gjetjen e mënyrave të tjera të ruajtjes së energjisë së tepërt, në mënyrë që ajo të mund të përdoret kur është më e nevojshme.

"Po bëhen shumë hulumtime dhe ka shumë zhvillime në këtë drejtim. Do të jetë shumë interesante të shohim se çfarë do të ndodh gjatë viteve të ardhëshme."

Ajo thotë se përdorimi i qymyrit ka gjasa të pakësohet më tej në vitet e ardhshme në Teksas dhe gjetkë, kryesisht për shkak të çmimit të ulët të gazit natyror, jo për shkak të energjisë dillore apo asaj të prodhuar nga era.

" Bota nuk do të mbyll të gjitha centralet elektrike dhe të operojë çdo gjë nga elektriciteti i përftuar nga energjia diellore. Ky nuk është orientimi ynë afatgjatë. Ka një kombinim të zgjidhjeve të ndryshme që do të sjellin një rezultat të mirë."

Ajo thotë se edhe reaktorët bërthamorë modern mund të prodhojnë energji të pastër, por kostoja dhe frika e publikut nga aksidentet shkatërrimtare kanë pakësuar kërkesat për këtë burim të energjisë së pastër.

XS
SM
MD
LG