Lidhje

Karriera e James Comey, e shënuar nga pavarësia


Election Hacking

Election Hacking

James Comey ka qenë prokuror i ashpër që është përballur me disa nga të pandehurit më të shquar në 25 vitet e fundit dhe që ka ndihmuar në vendosjen e rregullave për mbikëqyrjen amerikane të terroristëve të dyshuar. Por tani, si drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve ai ka marrë përsipër rolin e tij më të madh, duke e vendosur veten në qendër të vëmendjes në ditët e fundit të garës për presidencën e Shteteve të Bashkuara.

55-vjeçari Comey, një figurë e shquar në Departamentin e Drejtësisë nën presidentin republikan George W. Bush dhe shefi i FBI-së emëruar nga presidenti demokrat Barack Obama, duket se gjithmonë ka shfaqur një vijë të pavarur.

Tani, me pak më pak se një javë para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, Comey njoftoi se FBI, agjencia më e lartë e zbatimit të ligjit në vend, po rihap hetimin lidhur me përdorimin e një server privat email-ash nga kandidatja demokrate Hillary Clinton kur ajo ishte sekretare e Shtetit nga viti 2009 deri në vitin 2013 dhe nëse ajo ka keqpërdorur material të klasifikuara të sigurisë kombëtare.

Comey kishte deklaruar në korrik se trajtimi i dokumenteve të klasifikuara që ndodheshin në dosjet kompjuterike ishte "jashtëzakonisht i pakujdesshëm" nga ana e zonjës Clinton. Por Comey tha se nuk kishte shkelje për të ngritur akuza penale, një vendim që zemëroi republikanët që kërkonin të ndalonin zonjën Clinton të bëhet presidentja e 45-të e vendit. Kandidati republikan për president, Donald Trump shpesh e ka fyer zonjën Clinton si "Hillaria mashtruese" për përdorimin e serverit privat në shtëpinë e saj në Nju Jork, dhe Clinton në shumë raste e ka quajtur këtë një gabim, edhe pse thotë se nuk ka dërguar apo marr me vetëdije materiale të klasifikuar.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka një praktikë afatgjatë të mos ndërhyrjes në politikën e vendit, edhe pse si republikanët edhe demokratët shpesh i shohin si motive politike disa vendime të saj në vendosjen e çështjeve që do të hetojë dhe nëse do të ngrerë akuza kundër dikujt.

Comey i tha personelit të FBI-së se ndjehej i detyruar të njoftonte Kongresin rreth rihapjes së hetimit të email-ave të zonjës Clinton pasi u kishte thënë në mënyrë të përsëritur ligjvënësve se hetimi kishte përfunduar. Zoti Comey tha se materialet e reja të gjetura në kompjuterin e çiftit Abedin-Weiner lidhur me çështjen Clinton ishin të panjohura dhe ekspertët ligjorë thaë se disa mijëra email-a me siguri që nuk do të mund të ekzaminohen para ditës së zgjedhjeve. Një njoftim tha se autoritetet nuk kanë marr ende një urdhër nga gjykata për të parë materialet.

Me një karrierë të gjatë ligjore, Comey ka ndjekur penalisht anëtarë të familjes Gambino për krime, terroristë të akuzuar për kryerjen e bombardimeve në Kullat Khobar në Arabinë Saudite në vitin 1996, dhe ekzekutivë korporatash të përfshirë në korrupsione financiare.

Ndjenja e tij e pavarësisë përballë këshillës kundërvepruese nga superiorët e tij ka qënë një shenjë dalluese gjatë viteve të tij në krye të institucioneve të zbatimit të ligjit.

Në vitin 2004, në administratën Bush, ai ishte Prokuror i Përgjithshëm në detyrë kur eprori i tij, John Ashcroft, u shtrua në spital. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kërkuan miratimin e tij në ligjshmërinë në aspektet kryesore të përgjimit të terroristëve të dyshuar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, por zoti Comoy kundërshtoi.

Kur zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë shkuan në spital për të marr firmën e të sëmurit Ashcroft për dispozitat e përgjimeve, Comey shkoi vetë në spital dhe i kundërshtoi këshilltarët presidencialë.

Comey e tërhoqi kërcënimin e tij për të dhënë dorëheqje lidhur me këtë ngërç, dhe më pas kur presidenti Bush dëgjoi për kundërshtimet e tij, programit të përgjimeve iu bënë ndryshime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG