Lidhje

SHBA, shqetësim për trysninë ndaj medias në Turqi


Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të shqetësuara" nga rritja e trysnisë së qeverisë ndaj mediave opozitare në Turqi, pas ndalimit dje të një drejtuesi të lartë të gazetës “Xhumurjet”. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha të hënën se Uashingtoni mbështet përpjekjet e Ankarasë për gjetjen e personave përgjegjës për grushtin e dështuar të të shtetit më 15 korrik, por mbyllja e mediave dhe arrestimi i gazetarëve gjatë fundjavës janë shqetësuese.

Ndalimi i kryeredaktorit të gazetës “Xhumurjet”, Murat Sabunçu dhe punonjësve të tjerë të lartë, pasoi largimin nga puna të më shumë se 10 mijë nëpunësve civilë, akademikëve, mësuesve dhe punonjësve të shëndetësisë të shtunën. Më shumë se dhjetë media janë mbyllur gjatë fundjavës.

"Kjo është qesharake. Nuk mund të frikësosh njeri duke ushtruar presion. Është e pamundur që njerëzit me ndërgjegje të mbështesin këto veprime. Kjo nuk mund të justifikohet në botën e sotme. Sot po më ndalojnë thjesht sepse vizatoj karikatura."

Të ndaluarit akuzohen për shkelje të ligjit turk të anti-terrorit dhe për mbështetjen e grupit rebel kurd PKK, ose pasuesve të klerikut Fethullah Gulen.

Kleriku Fetullah Fulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, fajësohet nga qeveria e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për orkestrimin e përpjekjes së grushtit të shtetit. Zoti Gulen ka mohuar çdo përfshirje.

Operacionet e Turqisë kundër nëpunësve civilë dhe mediave pas grushtit të shtetit kanë alarmuar aleatët perëndimorë dhe grupet e të drejtave të njeriut të cilët shqetësohen se Erdogan po përfiton për të shtypur disidentët.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, më shumë se 100 gazetarë janë burgosur që nga përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit në korrik dhe hyrja në fuqi e gjendjes së jashtëzakonshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG