Lidhje

Shpresë për refugjatët në Athinë


Në një lagje të Athinës, e njohur për komunitetin e saj anarkist, shumë refugjatë kanë gjetur strehim dhe mbështetje. Një qendër e hapur nga vullnetarë po përpiqet të japë një vizion afatgjatë të mbështetjes së këtyre njerëzve të bllokuar prej mbylljes së kufijve.

Exarchia, një lagje e Athinës e njohur për anarkizmin, po strehon tashmë refugjatë. Falë grupimit vullnetar “Khora”, në një godinë me pesë kate jepen shërbime falas nga profesionistë, si dentistë apo juristë, për njerëzit e bllokuar në Greqi nga mbyllja e kufijve.

Ndër kontribuesit është edhe Ali Shokri, një i krishterë që iu largua persekutimit fetar në Iran.

“Shumica duan të vijnë këtu pasi u nevojitet çdo gjë, që nga arsimi apo ushqimi.”

Në qendrën e çelur këtë muaj gjendet një restorant falas ku një kuzhinier sirian gatuan me shijet e zonës së tyre.

“Mundohem të gatuaj ushqim tipik sirian apo libanez, pasi e di që u mungon.”

Punimet vazhdojnë për ta përmirësuar qendrën dhe mendohet se do të rritet kërkesa për shërbimet e saj. Pasi Maqedonia mbylli kufijtë e saj në pranverë, dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë u bllokuan në Greqi.

Megjithëse qeveria ka ngritur kampe, ato ndodhen në zona të largëta dhe shumë njerëz dëshirojnë mundësitë që ofron qyteti.

Qendra është marrë me qera, me synimin për të ofruar një hapësirë të sigurtë për të rriturit dhe fëmijët që kërkojnë arsim dhe mbështetje.

Ndërsa proçedurat për zhvendosjen diku tjetër në Evropë mund të zgjaten shumë, qendra po ofron një fokus afatgjatë, përfshirë kurse të greqishtes, duke nxjerrë në pah një realitet ndryshe për ata që janë në kërkim të një jete të re.

“Realiteti është se kufijtë janë mbyllur dhe se politika në mbarë Evropën nuk ka gjasa të ndryshojë. Pra, këta njerëz mund të qëndrojnë të bllokuar këtu për një periudhë të gjatë.”

Gjatë kursit për vetëmbrojtjen, pjesëmarrja është e lartë, ndoshta si pasojë e ndodhisë kur një strehe refugjatësh aty pranë iu vu zjarri. Gjatë ditës, mendjet e të rinjve dhe të moshuarve janë të përqëndruara. Por, me afrimin e mbrëmjes, qendra Khora mbyllet dhe ata rikthehen tek vështirësitë e jetës së tyre të braktisur.

XS
SM
MD
LG