Lidhje

SHBA: Zgjedhjet dhe beteja për senatin


Në Shtetet e Bashkuara, demokratët po përpiqen të fitojnë shumicën në Senat, duke garuar fort në disa shtete tradicionalisht të lëkundura. Pas gjashtë viteve të kontrollit republikan në Senat, demokratët shpresojnë të krijojnë epërsi dhe të fitojnë disa gara kyçe, që mund t’u japin atyre shumicën. Fati i Senatit është tani në duart e votuesve në gjashtë shtete, tre prej të cilave historikisht votojnë për republikanët.

Njëzet e katër senatorë republikanë janë në garë për t’u rizgjedhur, në krahasim me vetëm dhjetë demokratë. Por me shtimin e pakënaqësive ndaj Partisë Republikane, veçanërisht gjatë fushatës së zotit Trump, shanset për kandidatët demokratë janë shtuar. Analistët politikë janë të pasigurt për rezultatin në gjashtë shtete, të cilat mund të përcaktojnë se cila parti do të ketë kontrollin e Senatit.

Sipas njoftimeve, Hillary Clinton ka rreth 150 milionë dollarë fonde për fushatë, që ajo mund të vendosë t’i japë për fushatat e senatorëve demokratë, edhe pse njoftimi i FBI-së për të rifilluar hetimet për serverin e saj privat, mund ta bëjë që t’i shpenzojë fondet për fushatën e saj.

Ja gjashtë shtetet e diskutueshme:

Indiana

Demokrati Evan Bayh garon pas një mandati në senat nga viti 1999 deri në 2011. Kundërshtari i tij, kongresmeni Todd Young, po thekson në fushatën e tij mungesën e rivalit Bayh në Indiana gjatë pesë viteve fundit, duke thënë se ai ka braktisur shtetin dhe është bërë njeri i Uashingtonit. Bayh ende ruan avantazhin ndaj Young, edhe pse ai ka rënë mjaft për shkak të reklamave negative të rivalit. Sipas RealClear Politics (RCP), Bayh kryeson me vetëm dy pikë.'

Mizuri

Senatori republikan Roy Blunt kishte përfituar nga popullariteti i zotit Trump në këtë shtet tradicionalisht republikan, por meqë vlerësimi i kandidatit republikan ra, edhe vlerësimi për Blunt pësoi rënie. Kundërshtari i tij, Jason Kander, ka folur gjatë fushatës për faktin që Blunt i dikur i ishte shmangur rekrutimit për në Vietnam dhe me këtë ka fituar pikë në këtë shtet që njihet për mbështetjen ndaj ushtrisë.'

Nevada

Udhëheqësi i pakicës demokrate të Senatit, Harry Reid, do të dalë në pension këtë vit, prandaj gara në këtë shtet është e papërcaktuar. Kandidati republikan Joe Heck është përballur me kritika kohët e fundit për vendimin e tij për të mos e mbështetur zotin Trump. Edhe pse Heck ka kryesuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, kundërshtarja e tij Catherine Cortez Masto i është afruar gradualisht në anketa muajt e fundit. Është e vështirë të bëhen sondazhe mbi votën hispanike në Nevada, votë që mund të jetë faktor përcaktues në këtë garë. Cortez Masto udhëhiqte me 6 pikë deri të premten, sipas sondazheve të RCP.

Nju Hempshër

Një sondazh i kohëve të fundit nga Universiteti i Nju Hempshër tregon se guvernatorja demokrate Maggie Hassan ka tani një avantazh të fortë ndaj senatores Kelly Ayotte, edhe pse analistët dhe qytetarët janë skeptikë. Kohët e fundit Ayotte e kritikoi hapur zotin Trump, pas deklaratave të mëparshme se ai ishte një model për fëmijët. Zëvendëspresidenti Biden dhe senatori Bernie Sanders kanë shprehur mbështetjen e tyre për zonjën Hassan në njërën nga garat më të ngushta në vend.

Karolina e Veriut

Në shtetin e Karolinës së Veriut, senatori i tanishëm Richard Burr, garon ndaj demokrates Deborah Ross. Trump ka mbetur prapa në këtë shtet historikisht republikan dhe Partia Republikane, duke përfshirë edhe guvernatorin republikan Pat McCrory, janë në pozita mbrojtëse. Megjithatë, Burr deri të premten kishte një avantazh prej vetëm 1 pikë ndaj demokrates Ross, sipas sondazheve të RCP.

Pensilvani

Gara në Pensilvani është përqendruar më tepër te kandidatët presidencialë. Sfidantja demokrate Katie McGinty mbështet fuqishëm zonjën Hillary Clinton dhe mbështetet prej saj. Ajo po e vë në provë rivalin Pat Toomey, i cili ende nuk është deklaruar nëse do të votojë për Donald Trump. Nëse fiton, McGinty do të ishte senatorja e parë grua e Pensilvanisë. McGinty ishte në avantazh dy pikë deri të premten. Por tani, pas çështjes së emailave të zonjës Clinton, ajo mund të pësojë rënie më tepër se shumica e kandidatëve të tjerë demokratë për Senat.

XS
SM
MD
LG