Lidhje

Presidenti Nishani paralajmëron thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

  • Pëllumb Sulo

Gjatë një leksioni të hapur me studentë të Universitetit të Shkodrës, Presidenti Bujar Nishani bëri sot të ditur se, për shkak të përmasave kombëtare që ka marrë fenomeni i cannabisit, ka vendosur të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Është një fenomen që ka marrë përmasa padyshim kombëtare dhe pikërisht për këtë arsye, për shkak të marrjes së këtyre përmasave dhe shqetësimit të agjencive ligjzbatuese dhe të inteligjencës së vendit, por edhe ato partnere, unë kam vendosur që së shpejti të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si ne duhet ta përballojmë këtë sfidë serioze në vendin tonë.

Presidenti Nishani tha gjithashtu se rreziku kryesor për vendin dhe qytetarët është krimi i organizuar. Nëse do të lejojmë krimin e organizuar që të institucionalizohet, atëherë vendi do të ketë probleme të mëdha, tha Presidenti:

Ka probleme me çështjen e standartit të jetës, me çështjen e funksionimit të institucioneve, me padrejtësitë e sistemit të drejtësisë. Por qytetarët dekurajohen shumë kur shikojnë se si ngjiten me shpejtësi në hierarkinë e vendimmarrjes apo ndërhyjnë në vendim; pjesën e krimit të organizuar. Dhe ky është një alarm, të dashur miq, që duhet të na kapë të gjithë ne dhe që kërkon padyshim qasjen e të gjithë aktorëve.

Presidenti tha se shkak për humbjen e besimit dhe shpresës për të ardhmen janë pikërisht përmasat që ka marrë krimi i organizuar në vend.

Natyrisht, nuk lindi sot krimi i organizuar në Shqipëri, as dje, por po kthehet me shpejtësi në një lloj institucionalizimi. Se, nëse individë bashkohen në grupime dhe këto grupime të krimit të organizuar fillojnë të hyjnë në politikë, fillojnë ndërhyjnë në ekonomi, fillojnë ndërhyjnë në përdorimin e aseteve publike, fillojnë e penetrojnë në elementet më të rëndësishëm që ka një shoqëri; në segmente të medias dhe të botës ekonomike, atëherë krijohet një rreth që e fut dhe e mbyt shoqërinë dalëngadalë.

Sfidë shumë e madhe e procesit të integrimit, tha Presidenti Nishani, është çështja e krimit të organizuar që shkon përtej negociatave dhe kapitujve. Nëse ky krim konsolidohet, atëherë bëhet i pamundur angazhimi i vendit, qoftë përmes legjislacionit, qoftë përmes ndërtimit të mekanizmave për integrimin në BE.

Po sot, në një ceremoni të veçantë, Qarku i Shkodrës nderoi Presidentin Nishani me titullin “Nderi i Qarkut”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG