Lidhje

Kosovë, rrugë të reja drejt Sirisë?


Në Kosovë autoritetet thonë se numri i qytetarëve të përfshirë në luftërat në Lindjen e Mesme ka shënuar rënie të vazhdueshme dhe tashmë janë të pakta rastet e përpjekjeve të reja për të shkuar në Siri. Ndërsa, sipas organizatave joqeveritare, me gjithë rënien e numrit të luftëtarëve të huaj, përpjekjet nuk kanë pushuar, por ata që synojnë Lindjen e Mesme po kërkojnë rrugë të reja nëpërmjet vendeve të treta kryesisht në rajonin e Ballkanit perëndimorë.

Rënia e numrit të qytetarëve të Kosovës që u janë bashkuar konflikteve në Lindjen e Mesme, nuk ka shënuar edhe fundin e përpjekjeve për të shkuar atje. Autoritetet pohojnë se në muajin shtator janë shënuar përpjekje të reja pas një periudhe të qetësisë, ndërsa vëzhguesit e pavarur thonë se ata që synojnë Sirinë po shfrytëzojnë rrugë të reja, që nuk janë shfrytëzuar më herët.

Bedri Elezi nga Instituti i Kosovës për studime ndërkombëtare, thotë se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës kanë udhëtuar nëpërmjet aeroportit të kryeqytetit të Malit të Zi për në Turqi dhe prej andej për në Siri, por edhe nëpërmjet Beogradit.

"Ne kemi pasur shkuarje edhe në qershor edhe në gusht të këtij viti, përmes vijës Beograd - Stamboll, d.m.th, Prishtinë - Beograd - Stamboll dhe e njëjta rrugë, Hatay - Reihanly dhe kufi (me Sirinë). Në rastin e gushtit, kanë qenë, nëse nuk gaboj, tre persona, ndërsa në qershor kanë qenë dy persona. Ndërsa, në rastin konkret ku bëhet fjalë për datat 1,2 dhe 3 shtator, bëhet fjalë diku, ndoshta 18, që janë 13 nga Kosova dhe 5 nga Lugina, do të thotë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc", tha zoti Elezi.

Ai thotë se disa kanë shkuar në Mal të Zi prej nga kanë udhëtuar për tri ditë radhazi në grupe më të vogla, që të mos bien në sy të strukturave të sigurisë.

"Shumë interesant është se një pjesë e tyre kanë arritur që të shkëmbejnë komunikime edhe me universitete të ndryshme në Stamboll, apo edhe në vende të tjera të Turqisë, që gjoja po shkojnë për studime atje, apo për provime pranuese në fakultetet dhe kjo ka qenë ndoshta edhe një mënyrë që institucionet e sigurisë të mos bien në informacione apo mos të hasin në informacione që ata po udhëtojnë drejt asaj. Ka qenë një alibi e shkëlqyer dhe e kohës", tha ai.

Shqipe Mjekiqi është Këshilltare e Lartë Politike e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe mbulon edhe fushën e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ajo thotë se fundi i verës dhe fillimi i vjeshtës ka shënuar raste të reja të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në Lindjen e Mesme, por në numra shumë më të vegjël.

"Ajo qe mund te them është se nga të dhënat e policisë së Kosovës janë konfirmuar dy raste të dy individëve nga Kosova që kanë përdorur vendet e treta, në këtë rast Malin e Zi, për të udhëtuar deri në Siri. Dhe për dy raste tjera për të cilat janë përfolur shumë, ende nuk janë konfirmuar", tha ajo.

Edhe Vesë Kelmendi nga Qendra për Studime të Sigurisë thotë se përfshirja e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme ka shënuar rënie.

"Është e rëndësishme që përkundër tentativave apo disa rasteve që janë të përfshirë në konfliktin e Sirisë dhe Irakut, Kosova ka edhe ulje të numrit të qytetarëve që po i bashkohen atij konfliktit, për shkak që mendoj se është bërë punë dhe është një lloj vetëdijesimi i qytetarëve për të mos u bërë pjesë e grupeve ekstremiste apo për ta përkrahur konfliktin në Lindjen e Mesme", tha ajo.

Megjithatë, kontrollimi i rrugëve të treta që mund të shfrytëzohen për udhëtime drejt Lindjes së Mesme është i vështirë për autoritetet e Kosovës.

"Nganjëherë është e vështirë që 100 për qind t'i kemi të sakta të dhënat, meqë po përdoren edhe vendet e treta. Ju e dini që liria e lëvizjes është një e drejtë e garantuar, prandaj është e vështirë që të definohet qartë nga pikënisja se për kua ose çfarë vendeve ua kanë mësyrë këta individë", thotë zonja Mjekiqi.

Kosova përballet me vështirësi komunikimi me vendet në rajon që nuk e njohin pavarësinë e saj siç janë Serbia dhe Bosnja.

Rreth 900 qytetarë nga Ballkani perëndimor janë përfshirë në luftërat në Siri dhe Irak. Kosova deri vonë ishte llogaritur si vendi me numrin më të madh të luftëtarëve për kokë banori duke shtruar shpesh pikëpyetjen se si është e mundur që një vend thellësisht pro amerikan të ketë kaq shumë luftëtarë të huaj. Por, në Qendrën për studime të sigurisë thonë se nga puna në terren nuk vërehet ndonjë ndryshim qëndrimesh të popullatës në Kosovë.

"Mund të jetë ndoshta një imazh jo shumë i mirë i Kosovës përfshirja e qytetarëve në konfliktin e Sirisë dhe Irakut, por kjo nuk na bënë neve pse një grup i njerëzve i janë bashkangjitur, që në të mos jemi një popull pro amerikan", tha zonja Kelmendi.

Që në vitin 2012 janë paraqitur rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në Siri ndërsa rreth 316 syresh besohet se kanë marre pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Prej tyre 117 janë kthyer në Kosovë, ndërsa atje ndodhen 140 nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Policia ka filluar hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat në Kosovë.

XS
SM
MD
LG