Lidhje

Blushi shpall partinë e re LIBRA


Në Shqipëri zoti Ben Blushi një prej ish figurave të larta socialiste i cili vetëm pak javë më parë, së bashku me deputeten tjetër socialiste Mimoza Hafizi deklaroi shkëputjen e tij nga kjo parti, shpalli dje krijimin e “Listës së Barabartë, një bashkim njerëzish dhe idesh progresive te cilët kanë vendosur me vullnet dhe pasion të quhen LIBRA”, bëri të ditur ai. Duke luajtur me kuptimet e fjalës, zoti Blushi shpjegoi se “LIBRA do të thotë dije. LIBRA do të thotë liri. LIBRA do të thotë peshore,ekuilibër dhe drejtësi. LIBRA është liria e të qenit i ditur dhe i drejtë. Unë mendoj se mungesa e dijeve,kufizimi i lirisë dhe cënimi i vazhdueshem i ekuilibrit social janë shkaktarë të mjerimit dhe pabarazisë së vendit. Këto janë tre arsyet që më kanë nxitur të jem pjesë e këtij projekti: Dija, Liria dhe Ekuilibri”, u shpreh zoti Blushi, ndërsa saktësoi se “ne kemi ardhur të bashkohemi rreth një ideje dhe jo pas një njeriu. Vendimet që lindin pas një ideje janë gjithnjë më të qëndrueshme dhe më të drejta se të gjitha vendimet që të cojnë në ndjekjen e një njeriu”.

Por cilat janë shtresat që partia e re synon të përfaqësojë? “LIBRA do të jetë streha e atyre që kanë më shumë nevoje të mbrohen nga shoqëria. LIBRA do përfaqësojë të rinjtë, të varfrit e Shqipërisë. Do të jetë shpresa dhe busulla e shtresës së mesme, do jetë një mjet për ta zbutur polarizimin ekstrem dhe mizor të një shoqërie e cila nëse nuk mendon sot për të shpërndarë pasurinë nuk do ketë mundësi nesër për ta mundur varfërinë dhe injorancën që ushqen ajo. LIBRA – shtoi zoti Blushi - do jetë një arsye për të bindur që të qëndrojnë gjithë ata të rinj,burra dhe gra që sot duan të ikin nga Shqipëria për shkak të papunësisë, padrejtësisë kronike dhe pabarazisë torturuese. Do jetë një instrument për t’i administruar shumë më mirë në dobi të interesit publik burimet tona natyrore. LIBRA do jetë një mjet për ta mbrojtur Shqipërinë dhe natyrën e saj nga abuzimi,nga ndotja,nga shfrytëzimi pa kriter dhe nga importi i ndotjeve dhe mbetjeve të vendeve të tjera”.

Për të theksuar ndryshimin nga partitë tradicionale që kanë dominuar skenën politike shqiptare, zoti Blushi tha se partia e re do të dallohet dhe nga ngjyra. “LIBRA do jetë e verdhë me bindjen se e kuqja na robëroi per 50 vjet,bluja na varfëroi për 20 vjet dhe mavija na turpëroi per 3 vjet.LIBRA do qëndrojë në qendër të gjithë këtij spektri ngjyrash të shplara dhe bindjesh të pluhurosura, duke vendosur zgjidhje të shpejta dhe inteligjente përpara doktrinave dhe ideologjive të ngurta”, deklaroi zoti Blushi.

Partia e tij është e dyta forcë e re politike që krijohet në harkun e një kohe të shkurtër. Pak javë më parë, një tjetër figurë e njohur publike, i angazhuar më parë me të djathtën, Gjergj Bojaxhi zyrtarizoi partinë “Sfida për Shqipërinë” e cila ka bërë bashkë intelektualë dhe aktivistë të shoqërisë civile me synimin për të “sfiduar partitë e vjetra dhe tronditjen e sistemit që po rrënon vendin dhe fillimin e ndryshimit të vendit”, siç deklaroi një prej themeluesve të saj.

XS
SM
MD
LG