Lidhje

Zbulohet në Rrëshen një qendër e përpunimit të drogës


Një magazinë e përmasave të mëdha, e përshtatur si qendër për grumbullimin dhe përpunimin e bimës narkotike cannabis sativa, është zbuluar sot pasdite nga policia në Rrëshen, në ish magazinat e pularisë së këtij qyteti.

Forca të shumta të policisë vendore të Lezhës dhe Rrëshenit, të mbështetura edhe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës, mbajtën për disa orë nën kontroll këtë qendër, me kapacitete të mëdha magazinimi dhe përpunimi.

Policia njoftoi se ka shoqëruar pronarin e magazinës si dhe 14 persona, që u gjetën brenda saj në momentin kur ndërhynë forcat e policisë.

Gjithashtu, policia e Qarkut të Lezhës ka bërë të ditur se, në brendësi të kësaj qendre ndodheshin sasi të konsiderueshme të bimës narkotike, të dyshuara si cannabis sativa. Nga burime ende të pakonfirmuara mendohet se sasia e lëndës narkotike, që është sekuestruar nga policia, është më e madhe se tre ton.

Megjithse zona malore e Rrëshenit është evidentuar muajt e fundit si një nga zonat më problematike për kultivimin e bimëve narkotike, ky është rasti i parë i zbulimit të një qendre me përmasa të mëdha për magazinimin edhe përpunimin e drogës.

Zbulimi i kësaj qendre ka ngritur dyshime për pronarët e vertetë të drogës dhe si ata kanë arritur të veprojnë lirisht dhe pa u shqetësuar nga strukturat e sigurisë dhe rendit në mes të një qendre urbane siç është qyteti i Rrëshenit.

XS
SM
MD
LG