Lidhje

Debati për Himarën, Rama “nuk ka minoritet grek”


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama foli sot për rastin e prishjes së disa ndërtesave në Himarë në kuadër të planit rregullues të qendrës së qytetit, i cili ditët e fundit rriti ndjeshëm tensionet mes Tiranës dhe Athinës, pasi Greqia pretendon se po goditen qëllimisht pjestarë të minoritetit grek. Por kryeministri Rama hodhi poshtë këto pretendime duke saktësuar se Himara nuk mund të konsiderohet zonë minoritare

Kryeministri Rama flet për tensionet me Greqinë për Himarën
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:31 0:00

Protestat e disa banorëve në Himarë kundër zbatimit të planit që synon ndërhyrje në qendrën e qytetit, u bënë shkas për reagime të forta të Greqisë dhe shkëmbime replikash mes dy vendeve ditët e fundit. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule akuzoi sot qeverinë se qëllimisht po godet minoritetin grek në atë zonë: “Nuk ka rilindje urbane që mund të fshehë qëllimin e vërtetë, që është mposhtja e frymës së atij komuniteti dhe grabitja e pronave”

Zoti Dule mbrojti ndërhyrjen e Athinës mbi këtë çështje duke kujtuar se edhe kushtetuta e Shqipërisë parashikon si detyrim mbrojtjen e interesave të qytetarëve të saj kudo që janë "po shtetet e tjera nuk e kanë këtë të drejtë dhe obligim për të folur dhe mbrojtur të drejtat e bashkëatdhetarëve të tyre kudo. Nuk e kanë të drejtën kolegët tanë, qeveritarë, deputetë, eurodeputetë grekë që të flasin për shkeljen e të drejtave të pjestarëve të minoritetit etnik grek në Shqipëri?”

Menjëherë pas tij ndërhyri kryeministri Edi Rama, i cili në fakt e kishte paralajmëruar që dje se do të fliste për këtë çështje dhe përplasjet e lindura me Greqinë. Sipas kryeministrit bëhet fjalë vetëm për 18 ndërtesa nga të cilat një banesë, një bujtinë dhe të tjerat lavazhe, kioska e objekte të rrënuara, duke e quajtur të pakuptimtë reagimin e Athinës: “Dikush që nuk e di ku fle lepuri i kësaj ferre që na shfaqet herë pas here nepër këmbë si një ëndërr e keqe, as që mund ta konceptojë dot sesi ka mundësi që një praktikë rutinë të kësaj natyre në Shqipërinë e sotme për 12 ndërtime pa leje dhe vetëm për 6 ngrehina në proces shpronësimi ligjor, të angazhojë një shtet fqinj me komunikata zyrtare që shprehin kundërshti ndaj Shqipërisë, deklarata partiake që kërkojnë ndëshkim europian për Shqipërinë dhe pastaj lloj-lloj gazetash, portalesh, historianësh dhe historish që nxjerrin tym fabrikash të antikitetit nacional populist, për të nxirë qeverinë e Shqipërisë, por fatkeqësisht pa e fshehur dot një sëkëlldi të çuditshme ndaj nesh, shqiptarëve dhe këtij vendit tonë të vogël që quhet Shqipëri dhe që kaq shumë ka dhënë dhe ka marrë në historinë e vet në atë vend mahnitës që quhet Greqi”

Për kryeministrin Rama nuk ka vend për t’i konsideruar himariotët si minoritarë grekë: “Këtë herë na ka dalë që banorët e prekur nga projekti i ri i bashkisë së Himarës, në fakt na qenkan deklaruar grekë dhe mund të paraqesin në mbështetje të kësaj deklarate dokumente përkatëse. Asnjë himariot, as mund të paragjykohet, as mund të gjykohet, dhe aq më pak të klasifikohet si banor homogjen, nënkupto grek, pse zemra ia thotë se përveç atdheut të babës, ka dhe një vend tjetër, për një atdhe tjetër”.

Kreu i qeverisë kujtoi se ndërsa për një rast të tillë Tirana vihet nën një mori akuzash nga Greqia" "çfarë duhet të themi ne për mbajtjen si një dordolec në kufij mes nesh dhe Greqisë të ligjit të luftës që është matrica e të gjitha çështjeve apo shumicës së çështjeve të pazgjidhura me Greqinë dhe është strumbullari i një mase të madhe çështjesh të të drejtave të njeriut që kanë në sfond diskriminimin e shqiptarëve. Nuk është thjesht një mbetje arkaike aty, por është një akt që prodhon pasoja konkrete për qytetarët shqiptarë. Të drejtat e njeriut, liria e lëvizjes, e drejta për të kërkuar pronat dhe dëmshpërblimet, në rrugë të rregullt dhe proçeduriale. Kjo është e gjitha ajo që quhet çështja came. Asgjë tjetër. Ne kërkojmë këtë dhe vetëm këtë”

Zoti Rama saktësoi se Shqipëria as nuk ka patur dhe as ka pretendeime territoriale ndaj Greqisë, dhe se e shkuara nuk mund të jetë një pengesë për të ardhmen e përbashkët, por shtoi ai zgjidhjet e bazuara në rregulla dhe të drejtën ndërkombëtare, janë në interes jetik për të dy shtetet.

XS
SM
MD
LG