Lidhje

Miratohet ligji i 7 i Reformës në Drejtësi


Parlamenti shqiptar miratoi mbrëmë ligjin e 7 të asaj që u quajt si paketa emergjente e ligjeve të nevojshme për vënien në zbatim të Reformës në Drejtësi. Miratimi i “Organeve të qeverisjës së sistemit të Drejtësisë”, mes të cilave Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë parashikuar së bashku me ligjet e tjera u shty në fillim të muajit tetor, në kërkim të një konsensusi me opozitën. Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Fatmir Xhafaj deklaroi se oppzitës i është kërkuar disa herë që të përfshihej në negociata po ajo sipas tij ka refuzuar. Teksti i paraqitur në parlament kishte një seri ndryshimesh nga përmbajtja e mëparshme. Sipas zotit Xhafaj këto ndryshime ishin bërë nga dy misionet europiane dhe amerikane të asisitencës ligjore. “Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme edhe e partnerëve ndërkombëtarë. Nuk bëj gabim po të them edhe këmbënguljes së tyre për të bërë këtë reflektim. Ne e kemi bërë dhe sot, amendamentet që janë paraqitur, janë amendamente të punuara me ekspertët e EURALIUS-it dhe të OPDAT-it”, tha Fatmir Xhafaj.

Pjesa kryesore e debateve rreth këtij ligji kishte të bënte me mënyrën e përzgjedhjes së 5 anëtarëve në secilin prej dy Këshillave, të cilët do të emërohen nga parlamenti. Varianti i mëparshëm i propozuar, sipas të cilit do të duhet të ishin vetë dhomat e avokatisë apo noterisë që të propozonin kandidaturat nuk ishte pranuar nga opozita. Varianti i tanishëm parashikon një komision ad hoc në përbërje të të cilit të jetë Avokati i Popullit, Kryetari i Këshillit të Emërimeve, dy avokatë dhe një anëtar nga Akademia e Shkencave. Do të jenë këta që do t’i paraqesin parlamentit të paktën 3 emra për secilin vend vakant.

Por për opozitën ligji është antikushtetues dhe një përpjekje për të rikthyer sipas deputetit Oerd Bylykbashi, mekanizmat e kontrollit të emërimeve

“Po kërkohet që të futet një komision ad hoc i cili do të filtrojë të gjithë kandidaturat që kanë të drejtë të konkurojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është antikushtetuese sepse Kushtetuta nuk e parashikon”. Ai kundërshtoi edhe faktin që ndryshimet e reja i janë paraqitur parlamentit në kundërshtim me rregulloren.

Ligji u miratua me 87 vota, ndërsa opozita braktisi sallën. Megjithatë një deputet i saj, Mhill Fufi qëndroi duke marrë pjesë në votim. Një vendim i cili duket se i ka kushtuar përjashtimin e menjëhershëm nga grupi demokrat.

Pavarësisht miratimit nga parlamenti ligji për “Organet e qeverisjës së sistemit të Drejtësisë” nuk do të mund të nisë të zbatohet menjëherë ashtu si dhe ligjet e tjera të miratuara tashmë. I gjithë procesi ka mbetur i bllokuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin për Vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që ka kërkuar dhe opinionin e Komisionit të Venecias për përputhshmërinë e tij me Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe vetë Kushtetutën e Shqipërisë. Përgjigja nga Komisioni i Venecias pritet të mbërrijë në fillim të dhjetorit, ndërkohë që paralelisht edhe vetë Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim ligjin.

Po mbrëmë parlamenti votoi edhe kryetarin e ri të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ai do të jetë Denar Biba, i cili deri më tani ka mbajtur postin e nënkryetarit të këtij institucioni, si propozim i Partisë socialiste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG