Lidhje

SHBA: Zgjedhjet përçarëse


Të martën, votuesit amerikanë do të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur një president apo presidente të re. Zgjedhja mes kandidates demokrate Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump shfaq polarizimin politik në Shtetet e Bashkuara. Dhe shumë ekspertë paralajmërojnë se ndarja e mprehtë nuk ka gjasa të lehtësohet pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush do t’i fitojë ato.

Janë ditët e fundit para Ditës së Zgjedhjeve, dhe kandidatët Clinton dhe Trump janë duke bërë përpjekjet e fundit për të fituar vota në shtete të lëkundura.

Kandidati Trump vazhdon me përpjekjet në shtetin e Floridës.

“Jemi në prag të një ndryshimi të pabesueshëm historik, i cili do të transferojë pushtetin nga një strukturë politike e dështuar në duart e familjeve tona, komuniteteve dhe qytetarëve, në duart tuaja” tha ai.

Zonja Clinton u përpoq të rrisë mbështjetjen e saj në shtetin e Arizonës, i cili zakonisht voton për republikanët.

“Kur fëmijët dhe nipërit tuaj do t’ju pyesin se çfarë keni bërë në vitin 2016, dua që të jeni në gjendje të thoni se kam votuar për një Amerikë më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë” tha ajo.

Të dy kandidatët janë përqëndruar të rrisin mbështetjen e tyre, dhe zonja Clinton shpreson të ri-aktivizojë koalicionin që zgjodhi dy herë Barack Obamën, thotë strategu republikan John Feehery.

“Është një parti liberale, progresive, e përbërë nga koalicione etnike. Ndërsa Partia Republikane është një koalicion votuesish përgjithësisht të bardhë, në vija të ndryshme konservatizmi” tha ai.

Përderisa shumica e votuesve janë përkrahës të njërës ose tjetrës palë, është e vështirë të fitohen votat e anës tjetër, thotë ekspertja Jennifer Lawless.

“E kemi kaluar tashmë pikën ku njerëzit që janë përkrahës të një partie, do të kalojnë vijat partiake për shkak të gjinisë së njërit prej kandidatëve ose për shkak të disa veçorive të padëshirueshme”.

Dhe pavarësisht rezultatit të së martës, ndarjet partiake do të qëndrojnë, thotë historiani Allan Lichtman.

“Mendoj se nuk ka rëndësi se cili kandidat fiton. Polarizimi politik vetëm më keq do të bëhet”.

Zoti Lichtman beson se shumë demokratë do ta kenë të vështirë të pranojnë një fitore të kandidatit Trump.

“Donald Trump ka poshtëruar aq shumë njerëz në Amerikë, dhe madje tha se do të burgosë kundërshtaren e tij nëse fiton zgjedhjet. Prandaj mendoj se shumë përkrahës të zonjës Clinton nuk do ta pranojnë legjitimitetin e një presidence të Donald Trump-it”.

Por një fitore e zonjës Clinton mund t’i ashpërsojë mbështetësit e zotit Trump, thotë Scott Faulkner.

“Ajo është krejtësisht e pasinqertë dhe e korruptuar, një nga njerëzit më të pasinqertë që ka marrë ndonjëherë emërimin e një partie kryesore”.

Por pyetja kryesore është nëse kushdo që fiton zgjedhjet, do të jetë në gjendje të bashkojë vendin pas të martës, thotë historiani Lee Edwards.

“Kushdo që të fitojë, do t’i duhet të punojë për të minimizuar ndarjet dhe për të bashkuar vendin. Ajo do të jetë detyra e tyre, sepse, në fund të fundit, njëri prej tyre do të jetë president për të gjithë amerikanët”.

Duke patur parasysh dallimet e mprehta që kanë ekzistuar në vend për dekada të tëra, përpjekjet për të bashkuar vendin pas këtyre zgjedhjeve përçarëse ka të ngjarë të jetë sfida më e madhe politike e presidentit të ardhshëm, qoftë zonja Clinton apo Trump-i.

XS
SM
MD
LG