Lidhje

Vota në shtetet fushë-betejë


Disa ditë para zgjedhjeve, të dy kandidatët po kërkojnë mbështetjen e votuesve në shtetet fushë-betejë. Dhe në qarqet e vogla dhe të mëdha në mbarë Shtetet e Bashkuara, zyrat lokale po përgatiten për shtytjen e fundit për ditën e zgjedhjeve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Swicord i hedh një vështrim aktiviteteve të demokratëve dhe republikanëve në dy qarqe pranë Uashingtonit.

Ka pak votues të pavendosur, kështu që fokusi i të dyja fushatave është të motivojnë mbështetësit më pak entuziastë të dalin e të votojnë. Matt Gammon është strateg i fushatave me qendrën hulumtuese WPA Research në Uashington DC.

“Në fokus janë njerëzit që janë ende të lëkundur ose e kanë vendosur por nuk janë të sigurtë në se do të votojnë. Por, edhe ata që nuk e kanë ende të qartë për cilin kandidat do të votojnë.”

Në partinë republikane në qarkun Anne Arundel në Pasadena të Merilendit, vullnetarët po nxisin njerëzit të shkojnë në votime.

Koordinatorja e qarkut Faith Loudon ka përgatitur material për drejtuesit e zonës elektorale. Ajo thotë se informimi i votuesve rreth republikanëve që janë në fletët e votimit, është kritik.

“Zakonisht kur njerëzit shkojnë në votime, ndonjëherë gati 30 përqind mund ta ndryshojnë mendjen nga një person pozitiv që i përshëndet në qendrën e votimit.”

Kanë ikur ditët e dhomave të mëdha të mbushura me telefona ku u bëhej thirrje njerëzve të dilnin të votonin. Facebook-u tani luan një rol të madh.

Jerry Cave me partinë republikane në qarkun e Magamrit thotë se telefonatat mund të arrijnë mijëra njerëz. Por me Facebook-un, fushata mund të arrijë miliona njerëz.

“Kjo na jep mundësinë të aktivizojmë njerëzit tanë të dalin të votojnë dhe siç e shihni po funksionon. Pasi në votimin e hershëm në Merilend, në ditën e parë kishte 62 përqind më shumë njerëz në votime sesa ditën e parë katër vjet më parë.”

Në një takim të Komitetit Demokratik të Virxhinias në qarkun e Arlingtonit, pjesëmarrësit po caktojnë njerëzit që përshëndesin votuesit në qendrat e votimit.

Demokratët po ndjekin një qasje pak ndryshe në ditët e fundit. Telefonatat dhe media sociale janë të rëndësishme. Por demokratët po trokasin në dyert e çdo votuesi të regjistruar në qark – deri të martën, në ditën e votimit.

Ligjvënësi Donald Beyer, që përfaqëson qarkun e Arlingtonit, po garon për t’u rizgjedhur.

“Arlingtoni do të bëjë një punë të mirë edhe të martën për të parë kush nuk ka votuar ende. Deri në 7 të mbrëmjes, ata do të vazhdojnë t’u bëjnë thirrje njerëzve të marrin pjesë në votime.”

Sipas llogaritjeve, votimi i hershëm është më i lartë në këtë fazë nga ai i regjistruar katër vjet më parë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG