Lidhje

Forcat irakiane përpiqen të bëjnë avancime në Mosul


Trupat irakiane brenda qytetit irakian të Mosulit ngadalësuan avancimin e tyre dje në frontin lindor të qytetit, ku militantët e Shtetit Islamik kanë marrë disa lagje nën kontroll.

“Gjenden shumë civilë dhe po përpiqemi t’i mbrojmë”, tha nënkoloneli Muhanad al-Timimi. “Kjo është një nga betejat më të vështira me të cilën po përballemi”.

Të shtunën, një gjeneral irakian tha se forcat e tij që po përpiqen të rrethojnë qytetin kishin shtyrë ekstremistët e Shtetit Islamik jashtë një zone kryesore në frontin jugor të qytetit, dhe forcat kurde konfirmuan se flamujt e Irakut tashmë janë duke valëvitur nga ndërtesat pranë aeroportit të Mosulit.

Përparimi në Hamam el-Alil, 15 kilometra në jug të Mosulit, pasoi një arritje tjetër nga forcat speciale irakiane në zonën lindore të Mosulit. Irakianët fituan terren në rrethin Gogjali të Mosulit, pasi militantë të Shtetit Islamik e kishin nën kontroll gjatë dy vjetëve të fundit.

Një gazetar i “Associated Press” pranë Gogjalit raportoi se kishte përleshje të rënda të shtunën ndërsa luftëtarët e Shtetit Islamik po përpiqeshin të rimerrnin territorin që e humbën ndaj irakianëve të martën.

Kryeministri Haider al-Abadi vizitoi kohët e fundit trupat në frontin lindor të Mosulit, duke mbajtur atë që ai e përshkroi si një mesazh të civilëve në Mosul të cilët kanë qenë “pengje në duart e Daesh-it” (Shtetit Islamik).

“Ne do t’ju çlirojmë shumë shpejt”, u zotua zoti Abadi, por ai tha se përpjekjet për të rimarrë të gjithë Mosulin do të kryhen gradualisht, pasi forcat irakiane përballen me rezistencë të ashpër nga Shteti Islamik, duke përfshirë shpërthime me bomba, snajpera dhe sulme vetëvrasëse.

“Forcat tona heroike nuk do të tërhiqen dhe nuk do të munden”, tha kryeministri irakian Abadi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG