Lidhje

KE: Të hapen bisedimet. Kusht zbatimi i Reformës në Drejtësi

  • Armand Mero

Komisioni europian rekomandoi sot hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë duke vlerësuar përparimin e bërë lidhur me përmbushjen e 5 përparësive kyçe e duke e kushtëzuar me ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi e veçanërisht me ligjin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Ky është thelbi i formulimit që u zyrtarizua nga komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Bisedimet për Zgjerimin Johannes Hahn.

Teksti nënvizon se “Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të qëndrueshëm drejt përmbushjes të të gjithë pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ndryshime thelbësore kushtetuese u miratuan njëzëri në korrik 2016, duke i hapur rrugë një procesi të plotë dhe gjithëpërfshirës për reformën e sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thellë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Po ashtu duke vlerësuar përparësitë e tjera, rekomandimi i Komisionit europian thekson se “Reforma e administratës publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Puna drejt krijimit të të dhënave të qëndrueshme lidhur me hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar. Të drejtat themelore të vazhdojnë të respektohen gjerësisht në vend”.

Teksti përmbyllet duke saktësuar se “duke marrë në konsideratë progresin e mësipërm në përmbushjen e prioriteteve kyçe, dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Pas këtij hapi, e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në vendimmarrjen e Këshillit europian në muajin dhjetor. Shqipëria, siç kanë deklaruar dhe më parë autoritetet e saj, kërkon që edhe për rastin e tyre të ndiqet rruga që u përcaktua më Malin e zi Varianti më i favorshëm për të përshpejtuar proçesin do të ishte që Këshilli, së bashku me pranimin e rekomandimit për hapjen e bisedimeve, të linte dhe detyra specifike për vetë Komisionin që paralelisht të niste me anën teknike të proçesit, që praktikisht do të ishin kapitujt 23-24 të bisedimeve që lidhen drejtpërdrejtë me reformën në Drejtësi, si dhe që Komisioni të përgatiste platformën e bisedimeve.

Rekomandimi për hapjen e bisedimeve nuk është pjesë e Raportit për Shqipërinë, por e përfundimeve lidhur më Strategjinë e zgjerimit. Raporti, nga ana e tij, bën një përshkrim të zhvillimeve që nga shtatori i kaluar si dhe vlerëson ecurinë në përmbushjen e 5 përparësive kyçe, për të cilat siç theksohet në paragrafin për rekomandimin, njihet një “përparim i qëndrueshëm”.

Reforma e administratës publike

Raporti vlerëson se pozitivisht “zbatimin e proçedurave më transparente të rekrutimit të punonjësve të shërbimit civil si dhe zbatimin e reformës së administratës publike dhe reformës së manaxhimit të financave publike ka vazhduar”. Nga ana tjetër Komisioni thekson se “përparimi i mëtejshëm është thelbësor për të konsoliduar arritjet drejt një administrate publike me efikase, më të depolitizuar dhe më profesionale”

Sistemi gjyqësor

Raporti vë në dukje se “janë miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me funsionimin dhe organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo i hap rrugën një reforme gjithëpërfshirëse e të plotë. Puna lidhur me legjislacionin për vënien në zbatim të reformës ka ecur përpara: ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe një set ligjesh kyçe për riorganizimin e strukturave të drejtësisë, janë miratuar. Po ashtu, tekstet për rreth 40 ligje të tjera janë në faza të ndryshme të përgatitjes”. Brukseli ndërkaq vë në dukje se “Përparim i mëtejshëm nevojitet për të miratuar dhe zbatuar këto ligje. Administrimi i gjyqësorit vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo efikas: korrupsioni mbetet mbizotëruesë në të gjithë sektorin”.

Lufta kundër korrupsionit

Raporti vëren se “është miratuar ligji për mbrojtjen e bilbil-fryrësve. Prokurorët dhe punonjësit e policisë fituan më shumë akses në rregjistrat kombëtarë elektronikë, më qëllim që të shkëmbenin informacione sensitive dhe të rrisnin efikasitetin e hetimeve”. Por Brukseli kërkon “përparim të mëtejshëm për të konsoliduar një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve. Më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të rriskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të përmirësohen. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.

Lufta kundër krimit të organizuar

Në raport theksohet se “disa përparime janë bërë, në veçanti në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me cannabis sativa. Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar është intensifikuar”. Ndërkaq, sipas Komisionit “bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet forcuar më tej për të shkatërruar në mënyrë efikase rrjetet kriminale. Numri i dënimeve për rastet e krimit të organizuar mbetet ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë vitet e fundit. Hetimet financiare ndaj grupeve të organizatave kriminale nuk përdoren sistematikisht dhe në mënyrë efikase. Historiku i ngrirjes apo konfiskimit të pasurive të vëna ilegalisht mbetet shumë i varfër”.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri raporti thekson se “duke kapërcyer polarizimin e mëparshëm, Parlamenti miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për të nisur një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe përjashtimin e shkelësve me rekorde kriminale nga funksionet publike”. Ndrësa lidhur me reformën zgjedhore nënvizon se “Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të 2017, Shqipëria pritet të adoptojë në kohën e duhur amendamentet e Kodit elektoral dhe reformat e lidhura me të. Këto duhet të adresojnë në veçanti mungesën e pavarësisë dhe profesionalizmit në administratën elektorale”.

Për të tretin vit me radhë Komisioni vlerëson politikën e jashtme shqiptare dhe qëndrimin e saj konstant në përputhje me atë të Bashkimit europian. Politika e jashtem e vendit vlerësohet të ketë “një nivel të mirë përgatitjeje” dhe se “ka bërë disa përparime gjatë vitit të fundit. Lidhur me politikën e jashte dhe të sigurisë së përbashkët, Shqipëria ka qenë de facto plotësisht në linjë me të gjithë deklaratat e rëndësishme të BE-së dhe vendimet e Këshillit. Shqipëria u përshtat me të gjitha masat kufizuese të ndërmarra nga BE-ja”.

Autoritetet dhe drejtuesit kryesorë politik në vend përshëndetën vendimin e sotëm të Komisionit.

Edi Rama, kryeministër

“Shqipëria, sot e ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e këtyre negociatave pa kushte dhe vetëm me mirëkuptimin, krejt natyrshëm, që deri në momentin e fillimit të punës në tryezën e negocimit, të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi. Konkretisht, për veting-un e gjykatësve dhe të prokurorëve. Pra, e vetmja pikë e nënvizuar nga Komisioni Europian, si premisë e mirëkuptuar për të shkuar normalisht drejt fillimit të punës në tryezën e negociatave, quajeni dhe kusht po të doni, është ecuria në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konkretisht, zbatimi i ligjit të vetting-ut.

Mes momentit kur jepet rekomandimi dhe uljes në tryezë, për të hapur fashikujt e mëdhenj të kapitjeve të negociatave, ka si rregull një periudhë përgatitore, ku vendi, çdo vend, jo vetëm duhet të bëhet gati teknikisht me planin e punës, ekipin e negociatorëve dhe strukturat mbikëqyrëse e koordinuese të procesit, por edhe patjetër duhet të vijojë të bëjë progres në çdo fushë. Kështu që nuk ka pikë dyshimi, tanimë që Shqipëria mund të çelë negociatat, sapo e gjithë kjo punë e madhe përgatitore të jetë kryer dhe ndërkohë ne të kemi vazhduar të japim provën e vijimit të progresit në çdo fushë, përfshirë në radhë të parë, zbatimin e ligjit për vetting-un, pa diskutim”.

Ilir Meta, Kryetar i Parlamentit

“Dita e sotme sjell padyshim më shumë optimizëm, por njëkohësisht edhe shumë më tepër përgjegjësi dhe detyrime për ne si përfaqësues të zgjedhur të popullit shqiptar në mënyrë që të përmbushim më mirë angazhimet tona për të ardhmen evropiane të vendit. Sepse pas kësaj dite, pritmëritë e qytetarëve tanë, por edhe ato të partnerëve tanë ndërkombëtar janë edhe më të mëdha dhe kërkojnë akoma më shumë seriozitet dhe përkushtim nga ne për të përmbushur plotësisht pesë prioritetet kyçe. Veçanërisht për të treguar rezultate të dukshme dhe të shpejta në implementimi e reformës më të rëndësishme, asaj në drejtësi, si një nga sfidat kryesore në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe si një nga rrugët më të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.Unë besoj se Vetting-u është një proces që do të ndodhi së afërmi dhe besojmë se së shpejti Komisioni i Venecias do të shprehet apo do të rishprehet për këtë çështje. Më pas ne do të vazhdojmë me zbatimin e Vetting-ut si hapi i parë për vetë zbatimin e reformës në drejtësi, por edhe si një kërkesë tashmë e qartë e Bashkimit Evropian për të ecur drejt një date për çeljen e negociatave për anëtarësim”.

Lulzim Basha, kryetar i PD

“Rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm i shkëlqyeshëm për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët. Urojmë dhe shpresojmë që ky rekomandim të kthehet sa më parë në një vendim të Këshillit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Kjo është një fitore në radhë të parë e qytetarëve shqiptarë që kanë besuar dhe besojnë tek e ardhmja europiane e vendit, që kanë luftuar dhe luftojnë për të ardhmen europiane të vendit. Hapja e negociatave do të jetë fillimi i një rruge të gjatë, të vështirë por të sigurt dhe të pakthyeshme të përparimit të vendit tonë. Kjo rrugë e vështirë do të kalojë doemos përmes disa sfidave me të cilat për fat të keq kryeministri sot refuzoi të përballet. Sfida numër një mbetet ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sfidë po kaq e madhe, siç u shprehën qartë komisioneri Hahn, që dëshiroj ta falënderoj bashkë me ekipin e tij dhe përfaqësuesja e Bashkimit Europian në konferencën me Kryeministrin, mbetet lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria nuk ka bërë përpara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG