Lidhje

Analizë e zgjedhjeve presidenciale


Elita politike e Amerikës u përpoq ta çojë vendin drejt pranimit dhe pajtimit pas fitores befasuese të republikanit Donald Trump në garën presidenciale, që vazhdon të kumbojë në mbarë botën. Analistët dhe opinionistët janë gjithashtu duke kërkuar arsyet përse parashikimet e zgjedhjeve për një fitore të Hillary Clintonit ishin aq larg realitetit.

Demokratja Hillary Clinton, e cila shpresonte të bëhej gruaja e parë presidente, pranoi zyrtarisht humbjen të mërkurën, disa orë pasi Donald Trump deklaroi fitoren që do ta bëjë atë presidentin e 45 të Shteteve të Bashkuara më 20 janar.

Clinton u tha përkrahësve të saj, “I detyrohemi atij një mendje të hapur dhe një shans për të udhëhequr.”

“Kemi parë se vendi ynë është shumë më i ndarë nga sa mendonim. Por unë ende besoj tek Amerika dhe gjithmonë do të besoj dhe nëse ju do të bëni të njëjtën gjë, atëherë ne duhet të pranojmë rezultatin dhe të shohim nga e ardhmja.”

Pas tonit pajtues të zonjës Clinton, Presidenti Barack Obama bëri një deklaratë të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë duke i bërë thirrje vendit të ndarë të bashkohet pas zotit Trump si komandanti i ardhshëm.

“Ne nuk jemi së pari demokratë, nuk jemi republikanë. Ne jemi amerikanë. Jemi së pari patriotë. Ne duam më të mirën për vendin tonë. Këtë e dëgjova tek deklarata e zotit Trump, dhe kur bisedova me të drejtëpërdrejtë dhe u inkurajova.”

Tonet pajtuese të zotit Trump erdhën në fjalimin e tij në orët e para të së mërkurës.

“Për ata që kishin vendosur të mos më mbështesnin në të shkuarën, që janë pak njerëz, iu kërkoj ndihmën dhe udhëzimin tuaj në mënyrë që të punojmë së bashku dhe të bashkojmë vendin tonë të madh.”

Trumpi do të ketë shansin e një Kongresi të kontrolluar nga republikanët, një prespektivë që e frymëzon kreun e Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.

“Ai u lidh me njerëzit si askush tjetër. Ai ndryshoi retorikën e politikës dhe tani Donald Trump do të udhëheqë një qeveri të bashkuar republikane.”

Trump e siguroi fitoren e tij në një pjesë të madhe nga numri i lartë i votuesve të bardhë të klasës punëtore të irrituar me ekonominë thotë eksperti Norman Eisen.

“Pakënaqësia nga efektet zvarritëse të kolapsit financiar të 2008-ës dhe dhe impakti që ajo ka patur tek punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë gjatë dekadave të fundit.”

Sondazhet para-zgjedhore i dhanë Clintonit avantazh dhe analistët politikë dhe anketuesit, do të përpiqen të gjejnë arrsyet se pse parashikimi ishte i gabuar, thotë Molly Reynolds.

“A drejtuam pyetjet e duhura për votuesit? A po matnim si duhet se si do të votonin ata? Do të mundohemi të gjejmë gabimet rreth të dhënave që çuan në këtë parashikim që ishte i ndryshëm nga realiteti.”

Ndërsa zonja Clinton del nga skena politike, zoti Trump duhet të përqëndrohet tani në formimin e një administrate të re.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG