Lidhje

Shqipëri-Izrael, 2 mijë policë për ndeshjen


Në Shqipëri, policia njoftoi sot se do të angazhojë 2 mijë forca policore për garantimin e sigurisë së ndeshjes së futbollit mes kombëtares shqiptare dhe asaj të Izraelit e cila do të luhet nesër në qytetin e Elbasanit. Fillimisht ndeshja ishte parashikuar të zhvillohej në qytetin e Shkodrës, por për “motive sigurie” Federata shqiptare ndërroi stadium tre ditë më parë. Vendimi kishte lidhje me arrestimet e bëra fundjavën e shkuar të një grupi të dyshuar për lidhje me ISIS-in dhe që kishte aktivitet në zonën e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Grupi mendohej se po përgatiste një atentat terrorist gjatë ndeshjes me Izraelin.

Policia ka angazhuar mes efektivëve të saj edhe njësitë speciale dhe ato antiterror. Që mbrëmë kombëtarja izraelite u prit nën masa të rrepta sigurie në aeroportin Nënë Tereza, ndërsa gjatë shoqërimit të saj, rruga drejt kryeqytetit ishte e ndaluar për automjetet e tjera. Po ashtu dhe rruga që të çon në Elbasan përmes tunelit u bllokua sot pasdite, ndërsa ekipi i Izraelit udhëtoi për në stadiumin e qtetit për një seancë stërvitore. Edhe nesër ky aks do të mund të shfrytëzohet, dhe udhëtimi për në Elbasan sipas policisë, do të duhet të bëhet përmes rrugës tjetër nga Durrësi. Nën mbikqyrje të rreptë edhe zona përreth hotelit ku është vendosur skuadra izraelite në Tiranë.

Policia ka ftuar të gjithë ata që do të ndjekin ndeshjen që të paraqiten në stadium të paktën 4 orë përpara zhvillimit të ndeshjes, për shkak se do të ketë kotrolle të imtësishme ndaj cdokujt.

XS
SM
MD
LG