Lidhje

Udhëtim Angli-Australi brenda katër orësh?


Inxhinierët në Britani po punojnë për ndërtimin e një motori të avancuar për raketat, i cili një ditë mund të ndryshojë natyrën e udhëtimeve ajrore. Sipas parashikimeve, synimi është që pasagjerët të kryejnë një udhëtim nga Londra në Sidnej të Australisë brenda katër orësh. Teknologjia e re që po përdoret mund të bëjë të mundur një ditë që avionët e pasagjerëve të udhëtojnë me një shpejtësi pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit.

Mund të tingëllojë si film fantastiko shkencor, por udhëtimi me një mjet ajror, që mund të përshkojë botën brenda disa orësh, nuk është larg realitetit. Kompania britanike “Reaction Engines” njoftoi kohët e fundit se ka siguruar fondet për hulumtime në zhvillimin e motorit reaktiv SABRE, një motor i ri për flutime në hapësirë. Alan Bond është themelues i kompanisë “Reaction Engines”.

“Po përpiqemi të revolucionarizojmë transportin ajror përmes motorëve të shpejtë që të kemi qasje kudo në botë brenda një afati kohor prej katër orësh.”

Kompania ka kombinuar teknologjinë e motorëve të avionëve reaktiv dhe atyre të raketave. E reja e kësaj teknologjie, është sistemi i shkëmbimit të nxehtësisë, që funksionon në mënyrë të tillë: ajri i marrë nga atmosfera ftohet me shpejtësi të madhe nga 1 mijë gradë celsius në minus 150 gradë celsius. Më pas ajri i ftophurt digjet me hidrogjen të lëngëshëm në dhomën e djegies së motorit.

Kompania Reaction Engines Ltd. thotë se sistemi në fjalë është tejet i lehtë, që do të thotë se mund të përdoret në mjete hapësinore. Kur mjeti fluturues del nga atmosfera e tokës, ai shndërrohet në një motor të zakonshëm rakete, duke përdorur për djegie oksigjenin në bord. Inxhinierët thonë se kjo teknologji i mundëson aeroplanit të fluturojë brenda atmosferës me një shpejtësi deri pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit ose madje të fluturojë drejtpërdrejtë në orbitë.

“Për shembull, një aeroplan me 300 pasagjerë mund të shkojë nga Evropa në Australi brenda katër orësh e gjysëm”, thotë zoti Bond.

Një perspektivë emocionuese për industrinë e aeronautikës, një avion që mund të fluturojë dy herë më shpejtë se Concorde. Eksperti i aviacionit, Tilmann Gabriel thotë se prova e vërtetë do të jetë nëse industria do të ketë përfitime monetare.

“Në kushtet aktuale, asnjë linjë ajrore nuk po rrezikon me avionë të tillë. Është mirë të kesh mjete të tilla por nuk ka përfitime. Në botën e sotme, avionët duhet të jenë krejtësisht komercialë, të kenë fitime, të jenë efikasë, të respektojnë rregullat dhe të jenë tejet miqësor me mjedisin.”

Një zbatim i mundëshëm afat shkurtër mund të jetë përdorimi i motorave SABRE në aeroplanët me telekomandë për të transportuar ngarkesa apo satelitë në orbitë. Avioni mund të ngrihet nga pista të zakonshme, pastaj të përdorë motorin e ri për të arritur në orbitë. Të lërë ngarkesën atje dhe të kthehet në tokë dhe të ulet si avionët e zakonshëm. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pas vendimit të kohëve të fundit të Agjencisë Evropiane të Hapësirës për të investuar 10 milionë euro në përpjekjet për zhvillimin e motorit SABRE.

“Agjencia Evropiane e Hapësirës ka interes në zhvillimin e këtij motori që të përdoret në vend të raketave ruse për të shkuar në stacionin hapësinor ose dërguar satelitët në hapësirë”, thotë eksperti Tilmann Gabriel.

Kompania Reaction Engines thotë se ka në plan që prototipi i parë i motorit SABE për demostrim të jetë gati nga viti 2020.

Zoti Gabriel thotë se zhvillimi i teknologjisë së re të aviacionit kërkon kohë. Ai shton se zakonisht duhen pesë deri gjashtë vite për ndërtimin e një avioni dhe testimin e tij, ndërkohë që ky motor i teknolgjisë së lartë do të kërkojë shumë më shumë kohë për ndërtimin dhe testimin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG