Lidhje

Diplomacia amerikane në tranzicion


Retorika e fushatës së presidentit të sapo-zgjedhur Donald Trump ka lënë pas ankth dhe konfuzion se çfarë rruge do të ndjekë politika e jashtme amerikane.

Gjatë fushatës biznesmeni i pasur ishte i paqartë në disa çështje kyçe, duke përfshirë luftën kundër grupit Shteti Islamik. Për çështjet e tjera ai ishte i qëndrueshëm dhe i bindur për: shfuqizimin e Partneritetit Trans-Paqësor, rinegocimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe tërheqjen nga marrëveshja e Parisit për klimën; të gjitha të cilësuara arritje të rëndësishme të administratës Obama.

Sa i përket traktatit për ndryshimet klimatike për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord "ne do të presim për të parë se si administrata e ardhshme do ta trajtojë këtë, por unë besoj se ne jemi në rrugën e duhur, dhe kjo është një udhë që populli amerikan është angazhuar sepse shumica e popullit amerikan beson se ndryshimi i klimës në fakt, ndodh dhe kërkon ta trajtojë këtë çështje", tha sekretari i Shtetit, John Kerry para se të nisej për në Aman.

Duke vizituar Antarktikën të premten e kaluar, sekretari Kerry u bëri thirrje amerikanëve që në mënyrë aktive ta kundërshtojnë skepticizmin e zotit Trump ndaj shkencës së klimës.

Zoti Kerry gjithashtu ka udhëzuar një tranzicion të rregullt në Departamentin e Shtetit.

"Fokusi ynë gjatë muajve të ardhshëm është për të siguruar që kalimi i pushtetit të ndodhë normalisht dhe me sa më efikasitet të jetë e mundur”, i tha Zërit të Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby.

“Ekipi i Tranzicionit Trump”, shtoi ai, “do të jetë i mirëpritur ngrohtësisht dhe me kandidatët ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ata të kenë informacionin e nevojshëm për të udhëhequr këtë departament."

Shqetësime të thella në lidhje me drejtimin e politikës së jashtme të zotit Trump janë duke u shprehur nga ish-zyrtarë të lartë të administratave të mëparëshme demokrate dhe republikane.

Presidenti i zgjedhur ka "denigruar aleatët tanë të NATO-s duke vlerësuar Vladimir Putin e Rusisë, dhe kritikuar aleatët tanë aziatikë, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Ai u zotua për të mbajtur muslimanët jashtë SHBA-së, dhe ka fyer popullin meksikan me terma vulgare", tha ish-nënsekretar i shtetit për çështjet politike, Nicholas Burns, tani profesor në Kennedy School of Government në Harvard.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, Daniel Hamilton pranë Universitetit Johns Hopkins, i tha Zërit të Amerikës se marrëdhëniet me Evropën përballen me një transformim, nëse administrata Trump kërkon nga aleatë që të "paguajnë në mënyrë të plotë" praninë amerikane në Evropë, dhe NATO.

Një zëdhënës i Kremlinit e ka deklaruar qasjen e politikës së jashtme të presidentit të sapo zgjedhur Donald Trump shumë të afërt me atë të presidentit rus Vladimir Putin.

"Kjo është ndoshta një bazë e mirë për optimizëm të moderuar se ata të paktën do të jetë në gjendje për të filluar një dialog", tha Dmitry Peskov në komentet e transmetuara nga televizioni shtetëror rus Channel One të enjten.

Mes emrave për postin si Sekretar Shteti janë kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker dhe ish ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara, John Bolton.

Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Newt Gingrich, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut, është përmendur gjithashtu, edhe pse në ditët e fundit ai ka shprehur dëshirën për t'u përfshirë në marrjen e vendimeve të politikës për administratën e re, me sa duket nga brenda Shtëpisë së Bardhë.

Gjithashtu si një sekretar i mundshëm shteti është senatori Jeff Sessions, një republikan nga Alabama në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura.

Të tjerë nën shqyrtim, sipas The New York Times, janë ish-ambasadori i SHBA në Afganistan Zalmay Khalilzad dhe gjenerali në pension Stanley McChrystal, i cili komandoi forcat amerikane në Afganistan.

XS
SM
MD
LG